Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paralajmëroi se do të paraqesë fakte lidhur me paketën e Maleve, të cilën e konsideron “paketën e drogës”.
Sipas Berishës, Rama e ka zbritur Paketën e Maleve në lartësinë 10 metra nga niveli i detit.
“Shqipëria është një vend me lartësinë mesatare më të lartë në Europë. Ajo ka këtë lartësi, jo se ka lartësitë e malit të Bardhë apo majat më të larta të kontinentit, por se ka majat e larta më të shumta të kontinentit. Ndaj dhe lartësia e saj shkon në 708 metër si lartësi mesatare.
Do të shihni këtu se si Edi Rama me këtë vendim ka transformuar paketën që ai miratoi për zonat malore, në paketën e drogës dhe mafies së tij”, tha Berisha ndërsa paraqiti vendimin e qeverisë për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Shijak.

Berisha përmendi edhe skemën, sipas tij, sesi biznesmenët detyrohet që të plotësojnë disa kushte, përpara se të marrin lejen për ndërtimin. Ai tha se “miliardat vijnë nga Aruba”.
“Kryeministri Edi Rama e ktheu Paketën e Maleve në Paketën e Drogës. Janë një sërë zonash zhvillimore në Maminas, a thua se është zonë malore. Këto zona janë 30-70 metra mbi nivelin e detit. Si është pjesa e emrave? Ua tregoj unë. Bëhet takimi në Aruba.
Në Aruba shtrohet në tavolinë kulla 120 katësh në qendër të Tiranës, Everesti i Tiranës dhe thirret biznesmeni real. I thuhet do ndërtosh këtë kullë. I thotë “jo” biznesmeni, se nuk kam interes të ndërtoj kullë.
Biznesmenit i thuhet se në ndërtimin e kullës ke disa detyra. Do shkosh tek cepi, ku ka qenë Disko Albania. Këtu ka disa pronarë tokash, që nuk kanë pranuar pazaret. I është thënë biznesmenit që nëse nuk pranojnë çmimin, do merret dikush tjetër me këtë punë, e ai tjetri është banda. Detyra e biznesmenit është të gjejë një ortak dhe projektin ta çojnë në studio, që e dikton Edi Rama. Bosët vinin nga Aruba me miliarda. Emrat më të lakuar për Bitcoin janë Olsi Rama dhe Amant Josifi. Mos merremi me emra, të gjithë quhen Edi Rama. Ai e ka mendjen tek vjedhja e vetëm vjedhja”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




