Nga Gazeta Si- Shqipëria po përballet me një rritje të ndjeshme të infeksioneve respiratore, duke u afruar me pragun epidemik të sezonit dimëror.
Mbi 11 mijë persona kanë marrë trajtim të specializuar shëndetësor vetëm gjatë javës së fundit, si në urgjencat spitalore ashtu edhe në qendrat shëndetësore në rang kombëtar.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), 8027 raste i përkasin infeksioneve respiratore të rrugëve të sipërme, ndërsa 3547 raste lidhen me infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Ekspertët e shëndetit publik bëjnë të ditur se deri më tani nuk është izoluar ende asnjë rast me grip sezonal, por simptomat që paraqesin pacientët janë të ngjashme me ato të gripit.
“Pacientët paraqiten me ethe, kollë, temperaturë të moderuar që mund të arrijë deri në 40, dhe në disa raste edhe me pneumoni. Megjithatë, në laboratorët e ISHP nuk është identifikuar asnjë rast i konfirmuar i gripit”, thanë për Gazetasi.al ekspertë të shëndetit publik.
Sistemi i survejancës epidemiologjike ka evidentuar gjatë javës së parë të dhjetorit edhe një rritje të rasteve me diarre pa gjak, e cila lidhet me virozat sezonale që po qarkullojnë aktualisht në vend. Ndërkohë, edhe COVID-19 vijon të qarkullojë si virus stinor, duke kontribuar në fluksin e lartë të pacientëve. Vetëm këtë javë, ISHP ka raportuar 1582 raste të identifikuara në urgjencat spitalore.
Urgjencat, nën presion nga fluksi i pacientëve
Në urgjencat pediatrike dhe infektive të QSUT-së paraqiten çdo ditë mbi 240 pacientë, kryesisht fëmijë të moshave 0–7 vjeç, por edhe të rritur mbi 20 vjeç.
Mjekët infeksionistë theksojnë se qarkullimi i Sars-CoV-2 e vështirëson diferencimin mes virozave të zakonshme, gripit dhe COVID-it, pasi simptomat shpesh përplasen dhe krijojnë konfuzion diagnostik.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, sidomos në mëngjes dhe darkë kur temperaturat janë më të ulëta, duke ndikuar në rritjen e rasteve me viroza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




