Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti Flamur Noka, komentoi sot për gazetarët debatin që ai zhvilloi në mbledhjen e kryesisë së PD-së me ish-deputetin Ervin Salianji.
Sipas burimeve në mbledhjen me dyer të mbyllura Noka pati një përplasje me Salianjin. Flamur Noka iu drejtua Salianjit me akuza të forta, duke i thënë se veprimet e tij “po u shërbejnë atyre që i kanë përballë”.
“Tani unë po flas këtu për axhendën e demokratëve dhe të opozitarëve, ju po flisni për axhenda jashtë partiake që janë në shërbim të qeverisë. Por sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush është dorëheqja e Ramës. Dorëheqja ime apo dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë Ramën dhe shërbëtorët e tij”, tha ai.
Ai sqaroi edhe firmat e deputetëve të PD-së për Endrit Shabanin si Avokat të Popullit.
“Për firmat që janë dhënë për Avokatin e Popullit ne kemi kërkuar ndjesë. PD nëpërmjet kryetarit ka kërkuar ndjesë publike. Kanë filluar dhe kanë kërkuar ndjesë edhe shumë nga firmëtarët.
Ky proces po vijon. Ndjesa është për arsye se në ngutje e sipër, në një moment emocional, kur ishte çështja e Bashkisë së Tiranës… Shumë kolegë të mi nën emocion pse Shabani kishte ofruar si mbështetje ndaj kandidatit të përbashkët të opozitës mbase janë ndikuar. Sot në mbledhje kanë thënë pesë deputetë që i ka telefonuar dhe e pranoi dhe vetë Salianji. Ka gojëdhëna që vetë Grida është negociatore te Rama për Endrit Shabanin.
Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të DP dhe deputetit ka debatuar me ço firmëtar, ka qenë kundër dhe është kundër. Flamur Noka ka një vullnet të shprehur te Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni dhe kandidatët e tjerë. Flamur Noka po e përsëris ka debatuar me çdo firmëtar dhe në mbledhjen e grupit kam qenë i vetmi që ka kërkuar llogari për këtë gabim që është bërë. Ky është qëndrimi im personal në raport me këtë çështje që po thoni”, tha Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




