Gazeta Si – Përfaqësitë diplomatike të Bashkimit Europian të SHBA-ve në Tiranë, të pranishme gjatë gjithë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kanë përshëndetur zgjedhjen e Klodian Brahos si kreun e ri të SPAK-ut.
Silvio Gonzato i BE, përgëzoi Brahon dhe tha se mirëpret bashkëpunimin me të. Ambasadori u shpreh se SPAK ka një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“SPAK luan një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Ju e dini që ky është një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dje thamë që ajo që kërkoj është një kryetar të ri për SPAK-un që do vijojë punën e tij. Ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele të larta pavarësie, integriteti, rezistence në punë dhe angazhim ndaj standardeve të BE-së. Tashmë më lejoni të përgëzoj zotin Braho në detyrën e tij të re dhe që me kërshëri mirëpresim bashkëpunimin me të në muajt dhe në vitet në vijim”, tha Gonzato.

Ndërsa në postimin e ambasadës amerikane në Tiranë në rrjetet sociale, fillimisht përgëzohet Altin Dumani, për drejtimin e deritanishëm e institucionit të drejtësisë.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës”, thuhet në njoftim.
Më tej, saktësohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin me kënaqësi që të vijojnë bashkëpunimin edhe me kreun e zgjedhur të SPAK, Klodian Brahon.
“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Brahon, në rolin e tij të ri në krye të SPAK”, mbyllet njoftimi i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Pjesë e urimeve për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK iu bashkua edhe ambasada gjermane në Tiranë.
“Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodjan Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të cilin ne e mbështesim. Për punën e rëndësishme të SPAK-ut mbeten thelbësore integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës. I uroj shumë sukses Klodjan Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut në detyrën e tyre ambicioze, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Mirënjohja ime sot shkon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në mediat sociale.
Braho u zgjodh me shtatë vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në garë ishin edhe Adnan Xholi për të cilin votuan tre anëtarë, Elvin Gokaj për të cilin votoi një anëtar dhe Doloreza Musabelliu, e cila nuk mori asnjë votë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




