Nga Gazeta ‘Si’- Përfshirja e Endrit Shabanit në listën e emrave që garojnë për Avokatin e Popullit ka shkaktuar debate të gjata mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend.
Sipas deputetëve të PD, ‘lepuri i Surrelit’, siç ata iu referuan Shabanit, synon të bëjë avokatin e kryeministrit Rama dhe jo Avokatin e Popullit.
Berisha tha se Shabani i mori votat nga opozita në periudhën kur ai mbështeti kandidatin e pavarur Florjan Binaj për kryetar bashkie në Tiranë.
Por më pas sipas tij dolën një seri problemesh që faktuan se Endri Shabani ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën.
Deputetët e PD pretenduan se firmat e mbledhura ishin për të mbështetur kandidatët që shprehën dëshirë të kandidojnë, por firmat e dhëna sipas Oerd Bylykbashit, nuk tregojnë se ata kandidatë janë propozim i opozitës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi theksoi se PD nuk merr pjesë në votimin e Avokatit të Popullit nëse nuk hiqet emri i Endrit Shabanit.

“Dy kandidatë të Partisë Demokratike janë vetëm Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni. Shabani nuk na përfaqëson ne”, theksoi Këlliçi.
“Jeni njoftuar për tërheqjen e të gjitha firmave për të gjitha kandidaturat që kanë paraqitur për të garuar për pozicionin e avokatit të popullit. Është edhe lepuri i Surrelit, që po çon deri në fund skenarin e kësaj maxhorance të paralajmëruar javë më parë se Avokatin e Popullit do e merrte PS, e kanë thënë socialistët. Qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidaturat nuk i ka firmat e deputetëve të PD”.
Nga ana tjetër, Berisha në foltore tha se PD respektoi vendimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se një deptuet ka të drejtën për të firmosur vetëm për një kandidat.
“Ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë Komision Ligjesh e kryeson një ish-ministër i juaj.
Në garën e Avokatit të Popullit, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, me të drejtë apo pa të drejtë, nuk mund të them, që për kandidatët për Avokat të Popullit do ketë deputeti të drejtë vetëm për një firmë.
Ky është një vendim i një komisioni, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe për organizimin e procedurës së votimit të Avokatit të Popullit. Ai është kryetar komisioni. Tjetër puna se e keqja banale e shndërron atë në hiç. Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve.
Në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ne bëmë shkresën dhe tërhoqëm të gjitha firmat.
Dhe, thashë edhe njëherë, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat, për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma, i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë”, tha Berisha.
Edhe deputeti demokrat, Flamur Noka, përsëriti në Kuvend qëndrimin e opozitës, e cila tërhoqi firmën nga kandidatura e Endri Shabanit për të garuar për postin e Avokatit të Popullit.
Noka tha se opozita nuk e njeh ‘lepurin e Surrelit’ siç e cilësoi ai Endri Shabanin, si kandidat të mbështetur nga PD.
“Ju doni lepurin e Surrelit, sepse duhet t’i bëjë avokatin Surrelit dhe partisë dhe jo avokatin e popullit.
Është çështje e juaja, zgjidhni ju, por jo ne. Avokati do jetë i partisë dhe i Surrelit, por nuk është avokati i Popullit. Edi Rama ju ka urdhëruar të rrëmbeni çdo gjë, ju nuk njihni limit, ju rrëmbeni para, rrëmbeni taksa, rrëmbeni njerëz dhe zhdukni.
Opozita nuk e njeh lepurin e Surrelit, Endri Shabanin, si kandidat të mbështetur nga ajo’, tha Noka.
Nga mazhoranca, Blendi Klosi tha se ka qenë vendim politik i PS-së për të mos mbështetur asnjë kandidatë për avokat të popullit, pasi kjo i është lënë vetëm opozitës. Ai ngriti pyetjen se çfarë kërkon PD, kur kandidatët në fakt erdhën si propozim i opozitës.

Pavarësisht kërkesës së PD për ta hequr nga rendi i ditës, Kuvendi vendosi që procesi të vijojë sipas planifikimit dhe që zgjedhja e Avokatit të Popullit të zhvillohet gjatë seancës së sotme.
Lista përfshin vetëm kandidatët që kanë arritur të sigurojnë të paktën 28 firma të deputetëve, siç parashikon ligji:
- Adriana Kalaja – 44 firma;
- Besim Ndregjoni – 34 firma;
- Aranita Braho – 35 firma;
- Endrit Shabani – 35 firma;
- Skënder Haluci – 30 firma;
- Tartar Bazaj – 28 firma.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




