Politike

Rama: Pezullimi i Ballukut po bllokon marrëveshjen ajrore me Kanadanë! Pezull dhe 36 akte të tjera

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish në lidhje me pezullimin nga detyra me vendim të GJKKO-së të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, vendim të cilin ai e ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese.

Kreu i qeverisë ka dhënë sërish arsyet e tij se pse i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit të Ballukut, duke argumentuar se ministres po i pengohet puna.

Sipas Ramës, ka disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama shkruan se marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve, nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep Ballukut.

“Ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, thotë ai.

Rama shton kompetencat e vendimmarrëse të ministrit nuk mund të delegohen tek askush tjetër.

Më tej, kreu i qeverisë shkruan se ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prej të cilave 18 janë për rindërtimin, të cilat mbeten të pezulluara, pasi Balluku nuk ka mundësinë e firmës, për t’i çuar përpara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë