Politike

Financimi i partive politike, Gonzato: Transparenca mbyll hapësirat për korrupsion

Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në fjalën e mbajtur në tryezën, për financimin e partive politike dhe reformën zgjedhore, foli për të dy nismat.

Gonzato u shpreh se transparenca në financimin e partive politike është shumë e rëndësishme, pasi mbyll hapësirat për korrupsion.

“Transparenca në financimin e partive jep më shumë siguri për forcimin e demokracisë. BE është krenare, që mbështet këtë proces. Jemi në një moment kritik për Shqipërinë, kur pritet që vendi të ecë përpara në mbylljen e kapitujve drejt BE-së. Duhet të mbrohet konkurrenca e pandershme në zgjedhje. Financimi transparent i partive është çështje e integritetit demokratik dhe besimit publik. Kjo është e rëndësishme edhe për të mbrojtur partitë dhe institucionet nga çdo ndërhyrje e huaj e mundshme. Transparenca financiare e partive politike mbyll dhe hapësirat për korrupsion”, tha ai.

Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, Gonzato deklaroi se duhet një reformë, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, që të krijojë barazi në garën politike.

“Duhet një reformë zgjedhore, e cila krijon mjedis, që krijon vërtetë barazi. Ne kërkojmë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në përputhje me rekomandimet e OSBE- ODIHR”, u shpreh Gonzato.

Ndërkaq, edhe kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha se duhet reformë për financimin e partive politike, që arrihet përmes kalimit të një ligji në parlament, që garanton më shumë transparencë, auditim dhe sanksione të forta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë