Gazeta Si – Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mbledhur sërish mbështetësit e tij mbrëmjen e kësaj të hëne në një tjetër protestë para zyrës së kryeministrit Edi Rama, rreth dy javë pas shpalljes së platformës parlamentaro-qytetare.
Në protestën e sotme, Partia Demokratike ka zgjedhur të vendosë përpara foltores së ngritur te kryeministria disa silueta prej kartoni të disa ish-funksionarëve të lartë të qeverisë dhe të Partisë Socialiste. Siç vihet re, ata mbajnë veshur uniformën ngjyrë portokalli që zakonisht mbajnë të burgosurit.






Mes tyre ishin ish-kryebashkiaku Erion Veliaj, Alqi Bllako, Ilir Beqaj, Vangjush Dako, si dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila tashmë është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha, i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe të protestojnë kundër qeverisë Rama.
Ai deklaroi se opozita do të jetë çdo javë para kryeministrisë, pasi sipas tij, nisja e javës me protestë është shenjë drejt fitores.
“36 mijë euro paguani shishen e verës së Sulltanit këtu. Është mbushur dhe po derdhet kupa. Dhe ne sheshin e betejës nuk e lëshojmë. Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje. Zgjedhjet dhe votën nuk ja falim kurrë. Ju garantoj se fitorja është e jona, ju garantoj se Rama të ardhme nuk ka. Ligji dhe kushtetuta do të jënë sërish tuajat. Të hënën tjetër përsëri këtu. Dhe çdo të hënë do ta nisim javën me betejë. Dhe nisja e javës me një betejë kundër kryehajdutit të kombit të të gjitha kohërave, është fati i javës, është rruga drejt fitores”, tha mes të tjerash Berisha.

Këtij tubimi të opozitës iu bashkuan edhe dhjetëra qytetarë dhe simpatizantë të PD-së Kjo është protesta e tretë radhazi, pas tubimeve të 17 dhe 24 nëntorit, që bëjnë pjesë në strategjinë e re të Berishës.
Dy tubimet e para, të mbajtura më 17 dhe 24 nëntor, kanë kaluar të qeta dhe pa incidente, ndërsa formati i ri i protestës synon krijimin e një hapësire publike ku opozita, aleatët e saj dhe qytetarët të shprehin shqetësimet dhe akuzat ndaj qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



