Shendet

HPV po dëmton fertilitetin mashkullor në Shqipëri, mjekët thirrje për zgjerim të vaksinimit

Nga Gazeta Si- Në Shqipëri, krahas vajzave dhe grave, Papilloma virus po konstatohet dhe tek meshkujt. Mjekë ekspertë thonë për Gazetasi.al se ky virus është një nga shkaqet kryesore të infertilitetit tek meshkujt çdo vit, të cilët në disa raste e kapin vonë sëmundjen e për pasojë humbin dhe jetën.

“Një test pozitiv për HPV nuk është thjesht një raport mjekësor, për shumë njerëz sjell frikë, pasiguri dhe kështu vonojnë terapitë. HPV lidhet dhe me infertilitetin pasi gjurmë të ADN-së së tij gjenden në spermën e 20% të meshkujve infertilë, përqindje dyfish më e lartë se ajo në popullatën e përgjithshme”, thotë doktoreshë Armanda Pihoni për Gazetasi.al.

Megjithëse sot ekzistojnë vaksinat dhe diagnostikimi i hershëm është efektiv, respektimi i vaksinimit dhe programeve të shqyrtimit mbetet i ulët.

Një virus që nuk njeh gjini

HPV është një faktor i rëndësishëm onkologjik, por nga i cili mund të mbrohemi. Virusi transmetohet përmes çdo marrëdhënieje seksuale të pambrojtur dhe prek si gratë ashtu edhe burrat.

Ky virus shkakton 88% të kancereve të anusit dhe 30% të neoplazmave të orofaringut, gojës dhe laringut.

Gjithashtu, shkakton 90% të kancereve të qafës së mitrës, 43% të karcinomave të vulvës dhe 70% të vaginës.

Me diagnostikim të hershëm këto tumore mund të shërohen, por mbi 7,500 raste në vit mund të shmangen plotësisht me parandalim. Megjithatë, vetëm 1 në 3 gra kryen rregullisht testin HPV.

Objektivat e OBSH-së dhe gara me kohën

Në vitin 2020, OBSH vendosi synimin global për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës deri në vitin 2030. Në raport thuhej se deri në atë vit, 90% e vajzave duhet të jenë të vaksinuara deri në moshën 15 vjeç, 70% e grave të shqyrtuara me testim të avancuar dhe 90% e pacienteve të diagnostikuara të trajtuara menjëherë.

Vaksinimi deri në 45 vjeç: i efektshëm dhe me kosto të leverdishme

Shtrirja e vaksinimit deri në moshën 45 vjeç është me kosto efektive, ndaj nevojitet zgjerim i vaksinimit dhe për gratë 26–45 vjeç, për të përshpejtuar arritjen e objektivave të OBSH-së.

Afro 45,000 vajza të moshës 13-20 vjeç kanë aplikuar vaksinën kundër virusit HPV gjatë 5 viteve të fundit në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 10 mijë prej tyre janë vaksinuar vetëm gjatë këtij viti.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se mënyra më e sigurt për t’u ruajtur ndaj HPV është që vaksina të aplikohet përpara se personat të bien në kontakt me të, në moshën 13 vjeç.

Sot njihen mbi 150 lloje të virusit të HPV-së, ku shumica prej tyre nuk janë të rrezikshëm.

Viruset 6 dhe 11 që janë shkaktarët e lythave gjenitalë, si te meshkujt dhe te femrat.

Viruset 16 dhe 18 janë ato që në 70% të rasteve japin kancer të qafës së mitrës te femrat. Por, HPV është më i rrezikshëm edhe te meshkujt, pasi ata janë bartës, transmetues, në pjesën më të madhe të rasteve edhe shkaktarë të kancerit gjenital te meshkujt dhe të faringsit.

Përveç vaksinimit te vajzat e moshës 13 vjeç, ISHP organizon dhe vaksinimin shtesë, për të gjitha vajzat që kur kanë qenë 13 vjeç nuk e kanë aplikuar këtë vaksinë.

“Infektimi nga HPV që haset te meshkujt është në mënyrë të ngjashme si tek femrat. Megjithëse më rrallë se te femrat, mund të shkaktojë probleme shëndetësore përfshi kancer”, thotë mjeku Alban Ylli.

Sipas tij, vaksinimi tek meshkujt adoleshentë në Shqipëri do të nisë vitin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë