Shendet

Dita Botërore e luftës kundër HIV/AIDS, apeli i mjekes: Depistimi siguron trajtimin e hershëm

Nga Gazeta Si- Në Ditën Botërore të Luftës kundër HIV/AIDS, mjekët infeksionistë theksojnë rëndësinë e parandalimit, testimit të hershëm dhe trajtimit të rregullt.

Mjekja infeksioniste Esmeralda Meta u bën apel qytetarëve që të kryejnë teste depistuese, veçanërisht moshat e reja dhe kategoritë në rrezik, duke qenë se ende nuk ekziston një vaksinë kundër HIV-it.

Meta thekson se më të prekurit janë kryesisht personat mbi 14 vjeç, të cilët trajtohen në shërbimet për të rritur.

“HIV/AIDS është një sindromë infektive madhore, e pranishme prej më shumë se tre dekadash. Ka ndikim të fortë mjekësor, social dhe familjar. Trajtohen në shërbimin tonë adultët mbi 14 vjeç, që përbëjnë pjesën aktive të popullatës së prekur”, thotë Meta, duke shtuar se kjo sëmundje nuk prek vetëm individin por edhe partnerin dhe familjen.

Sipas saj, mesazhi kryesor është testimi.

“Të rinjtë, grupet në rrezik dhe gratë shtatzëna duhet të kryejnë depistim për të siguruar parandalim dhe trajtim të hershëm. Trajtimi kërkon edhe mbështetje psikologjike dhe sociale. Deri tani nuk ka vaksinë, ndaj konsultimi me mjekun është thelbësor,” tha mjekja Meta.

OBSH ka dhënë alarmin duke thënë se gjysma e disgnozave të HIV në Europë zbulohen shumë vonë dhe Shqipëria është mes vendeve që ka përqindjen më të lartë të diagnozave të vona.

Në raportin e përbashkët të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), “Mbikëqyrja e HIV/AIDS në Europë” shkruhet se në Shqipëri, rreth 67 për qind të rasteve të HIV diagnostikohen vonë, duke nxitur kështu edhe zinxhirin e transmetimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë