Nga Gazeta ‘SI’ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim online me qytetarët u ktheu përgjigje pyetjeve të tyre. Një prej to ishte edhe e një ndjekësi që e pyeti se pse nuk jep dorëheqje nga drejtimi i partisë për t’ia lënë drejtimin të rinjve.
Berisha tha se fati i drejtuesve dhe anëtarëve të PD-së caktohet vetëm nëpërmjet votës. Ai theksoi se nuk mund të japë dorëheqje pasi zgjedhjet që u zhvilluan më 11 maj ishin farsë. Megjithatë ftoi ndjekësin që të përdorë votën e tij, ose të marrë pjesë në garat që do të zhvillojë partia.
“PD është një parti e cila përcakton fatin e drejtuesve dhe anëtarëve të saj nëpërmjet votës. Në kushtet e një pluralizmi funksional nuk ka asnjë dyshim që humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë për dorëheqjen e atyre që drejtojnë, por në kushtet e farsës elektorale dhe narkoshtetit, në kushtet kur zgjedhjet janë farsë një akt i tillë do i shërbente diktatorit dhe atyre që shtypin pluralizmin. Një akt i tillë nuk mund të ndodhë përveç votës së demokratëve shqiptarë. Të ftoj të përdorësh votën tënde sipas vullnetit që ke ose të marrësh pjesë në të gjithë garat e kësaj partie. Në kushtet e diktaturave autoritare largimi nga misioni dhe qëndrimi në opozitë është një mision, largimi nga misioni, bëhet vetëm nëpërmjet votës”, tha Berisha.
Gjatë bisedës, kryedemokrati komentoi edhe “kafenë” e disa kandidatëve të PD-së në listat e hapura, të ftuar nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti. Berisha tha se askush nuk është i përjashtuar nga partia.
“Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë. Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti”, tha Berisha.
Ai bëri me dije se në javën që vjen do të nisin foltoret në rrethe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



