Nga Prof.Ass.Dr.Ismet Drenova*– Më 14 prill 1983, në një kohë kur industria ushtarake shqiptare kërkonte zhvillim të brendshëm dhe pavarësi prodhuese, u themelua një nga strukturat më të rëndësishme tekniko–shkencore të vendit: Instituti i Studimeve dhe Projektimeve 6.
Ai nuk lindi rastësisht. Që prej viteve 1977, grupe të veçanta inxhinierësh e teknikësh ishin shpërndarë në uzina dhe reparte ushtarake për të zhvilluar armë, municione, aparatura komunikimi dhe pajisje strategjike. Instituti thjesht i bashkoi, i konsolidoi dhe i vuri në shina të reja kërkimi.

Në korrik të vitit 1978, me krijimin e sektorit shkencor në Ministrinë e Mbrojtjes, grupet shkencore kaluan në varësi të tij duke përfituar një organizim më të plotë e profesional.
Pas viteve kërkimore e teknike, u krijua baza e duhur për themelimin e Institutit si qendër kryesore e projektimit dhe inovacionit në fushën ushtarake.
Instituti i Studimeve dhe Projektimeve 6
Misioni i Institutit ishte të kryente punë kërkimore–studimore, projektuese dhe eksperimentuese për prodhime të reja të armatimit, municionit, aparaturave të ndërlidhjes dhe lokacionit, të kimisë ushtarake, aviacionit, forcave detare dhe mbrojtjes kundërajrore.
Po ashtu, Instituti kishte si detyrë ngritjen e linjave dhe uzinave të prodhimit të atikujve te rinj luftarak, si edhe projektimin e teknologjise se mirëmbajtjes se teknikës ekzistuese të forcave të armatosura.
Instituti përbëhej nga këta sektorë kryesorë: Armatim–Municion, Elektronikë dhe Ndërlidhje, Kimi, Teknologji, Konstruksion, Laborator teknik dhe Arkivë tekniko–shkencore.
Çdo sektor plotësohej me inxhinierë dhe teknikë të përzgjedhur sipas aftësive profesionale. Pranë tij funksiononte Këshilli Shkencor dhe botohej Buletini Shkencor, ku publikoheshin artikuj mbi veprimtarinë teknike dhe kërkimore.
Instituti bashkëpunonte me katedrat të Universitetit të Tiranës dhe katedrave të shkollave ushtarake për tema të caktuara.
Në të njëjtën kohë mbi 10 inxhinierë jepnin leksione në Universitetin e Tiranës e në shkollat ushtarake, duke udhëhequr diploma dhe kërkime shkencore.
Projekte të shumta u zhvilluan në laboratorë dhe uzina ushtarake. Për temat ku nuk kishte modele, si psh radio, diegorja e shtimjes te obuzit 122mm apo radio nderlidhje, aparatet e shikimit të natës, bango prova për motorët e avioneve M19 etj, puna kërkimore binte mbi projektimin e ekzemplarëve, testimin statik dhe qitjet luftarake.
Këto tema kërkonin punë kërkimore projektuese për hartimin e konstruksionin të ekzemplarëve të parë. Pasi përfundonte projekti konstruktiv për artikujt e rij realizohej prodhimi i ekzemplarëve të parë në seri të vogël.
Nëse rezultatet e provave e testeve me qitje luftarake, vërtetonin funksionimin e serisë eksperimentale, aprovohej projekti konstruktiv, në të kundërt kur rezultatet e provave e testeve nuk ishin të kënaqshme vazhdonte puna për permirësimin e treguesve të ekzemplarit. Pasi miratohej projekti kontruktiv, fillonte puna për hartimin e projekteve teknologjike.
Punimet gjithashtu përfshinë prodhimin e ekzemplarëve dhe provat poligonale dhe zhvillimin e linjave të plota të teknologjisë së prodhimit.
Ndër arritjet më të rëndësishme ishin: 1-(Objekti 100) – Uzina e prodhimit të municioneve ku u projektuan dhe u eksperimentuan municione të kalibrave: 37 mm, 57 mm, 75 mm, 85 mm, 100 mm, 122 mm, 152 mm si edhe predha reaktive 107 mm dhe 130 mm.
Punimet gjithashtu përfshinë prodhimin e shembujve të parë, provat luftarake dhe zhvillimin e linjave të plota të teknologjisë së prodhimit. Gjithashtu arritje tjetër e rëndësishme ishte dhe (Objekti 300) – Rigjenerimi i municioneve të artilerisë.
U projektua linja e rigjenerimit të shtimjeve të topave 85 mm fushor dhe municioneve të tjera, së bashku me makineritë dhe pajisjet përkatëse.
Po ashtu u përcaktua vendi i ndërtimit të Uzinave në fshatin Pëllumbas në afërsi të Tiranës në përputhje me standartet e sigurisë.
Cilët janë disa nga kontributet kryesore sipas uzinave:
UM Gramsh – U ngrit në vitin 1962 dhe filloi prodhimin e pushkës Simonova (KSK) me fishek 7,62mm mod 56, dhe më pas u ngrit linja e prodhimit të automatikut Kalashnikov ASH78, ASH79.

Në pushkën Simonova janë realizuar dy përmirësime të vogla: doreza e levës që tërheq shulin e armës u zëvendësua me formë rrethore dhe mbulesa e gypit të gazit u bë me mbulim të plotë.
Grupet e punës pranë uzinës eksperimentuan kreherin me 20 fisheke për pushkën Simonova. Gjithashtu në repartin mekanik në Bradashesh, që varet nga UM Gramsh, inxhinierët e Institutit 6 projektuan dhe prodhuan ekzemplarët e parë të automatikut P84 me fishek 9x19mm.
Uzina e Mjeksit Elbasan – Në vitin 1962 u ngrit uzina për prodhimin e amonit, dinamitit për nevojat e ushtrisë dhe minjerave.
Më vonë në këtë uzinë u instalua linja e importuara të prodhimit të tritolit, linja e prodhimit të heksongjenit/hekzotol, linja e nitroglycerinës, linja e barutit një bazë dhe dy bazë, kësisoj u bë e mundur që prodhimi i municione të realizohej me cikël të mbyllur.
Kombinati Mekanik Poliçan – Në vitin 1967 u ngrit KM Poliçan, ku morën jetë linjat e prodhimit të fishekut 7,62mm mod 56, linja e prodhimit të granatës së dorës ofensive dhe difensive, minat KT, minat KK, kapsolla detonatore KD8.
Më vonë filluan linjat e prodhimit të shtimjeve të mortajës 60mm, 82mm, 107mm, 120mm dhe 160mm realizuar dorë dorë. Për kompletimin e predhës së mortajës me diegore, u hartuan projektet e konstruksionit të diegores dhe u prodhuan ekzemplarët e parë, të cilët kaluan me sukses provat statike dhe të qitjes luftarake.
Më pas përfundoi teknologjia e prodhimit dhe projekt-ideja teknologjike. Njëkohësisht u projektuan dhe u prodhuan makineritë dhe pajisjet, disa prej të cilave u importuan, çka çoi në ngritjen e uzinës së diegoreve.
Gjatë kësaj kohe grupet e punës projektuan fishekun 7,62mm mod 53 dhe prodhuan seritë eksperimentale. Provat e qitjes me këta fishekë dhanë rezultat të mirë gjë që solli miratimin e projektit konstruktiv. Puna projektuese bëri të mundur që të ngrihet linja e prodhimit të fishekut 7,62mm mod 53.
Grupi i punës i ISP6, pas një pune këmbëngulëse, hartoi vizatimet e konstruksioneve të fishekëve 12,7mm e 14,5mm dhe eksperimentoi prodhimin në seri të vogël që dolë me sukses.
Kësisoj u hartua projekti tekonologjik si dhe u projektuan dhe prodhuan makineri dhe paisje të nevojshme, disa prej të cilave u importuan, duke mundësuar ngritjen e linjës së prodhimit në seri të fishekëve 12,7mm dhe 14,5mm.


Punime të tjera përfshijnë studimi për prodhimin e gëzhojave të fishekut 7,62mm mod 53 prej llamarine celiku, studimi për hartimin e projekteve konstruktuktive për bombat e aviacionit 100kg, 250kg, minave detare të vogla, të mesme dhe të medha, si dhe bombat e thellësisë.
Në uzinën e Lokacionit & Ndërlidhjes u ngritën grupet e punës shkencore për studimin, projektimin dhe eksperimentimin e aparaturave dhe paisjeve të reja për nevojat e ushtrisë.
Disa arritje të rëndësishme në projektim ishin: radiostacioni i hallkës batalion-kompani-togë, prodhuar në bashkëpunim me URT Durrës; radiostacioni i hallkës brigade-batalion; radiostacioni-togë-skuadër; centralet telefonike 10 numra, 40 numra dhe aparati telefonik; sintetizatori i frekuencës, aparatura e dendësimit telefonik, dinamo e dorës për ushqimin elektrik të aparaturës së ndërlidhjes etj.
Në uzinën Kimike grupet e punës shkencore u krijuan në vitin 1976. Ato studjuan, projektuan dhe eksperimentuan prodhimin e kundërgazit për popullatën.
Pasi u hartua teknologjia e prodhimit, u projektuan makineritë dhe paisjet e linjës. Njëherazi u hartua projekti ndërtimor i uzinës ku do të vendoseshin linjat e prodhimit. U shtua detyra për projektimin e kundërgazit për popullatën, fëmijët dhe të lindurit.
U ngrit linja e prodhimit të qymyrit të granuluar, u projektuan filtrat e vend strehimeve, mjeteve, tymuese, paketës individuale kundërkimike si dhe prodhimi i baterisë ampule.
Një studim dhe projektim i sukseshëm ishte prodhmini i baterisë së nëndetësve.
Në uzinën e Artilerisë – Grupet e punës u ngritën në vitin 1977. Ato kryen studimin dhe projektimin e konstruksionit të predhës reaktive 107mm dhe 130mm.
U prodhuan ekzemplarët e parë për këto dy predha dhe u testuan me qitje luftarake që dolën me rezultate të kënaqshme.
U projektua granata me diegore për hedhje me pushkë. Prodhimi eksperimental u bë me derdhje precize në Uzinen Traktori, dhe rezultoi i suksesshëm.
Në uzinën e Aviacionit u ngritën grupet e punës për projektimin e teknologjisë së riparimit të avionit MG21. U projektuan dhe prodhuan të gjitha stendat e paisjeve të nevojshme të linjës.
Një detyrë e rëndësishme dhe e vështirë ishte edhe studimi dhe projektimi i bangos së provës së motorit të riparuar MG21, për të cilën nuk kishte model; megjithatë kjo detyrë u realizua me sukses nga inxhinierët dhe teknikët e grupit të punës.
Ndërsa uzina Mekanike (Autoraparti) shërbente për riparimin e automjeteve dhe agregateve të ushtrisë. Grupet e punës janë ngritur në vitin 1978 dhe kanë projektuar dhe eksperimentuar dy ekzemplarët e parë të motor-gjeneratorit tip LL6/3.
Motori ishte katër kohësh me dy cilindra me kapacitet 6KF (kuajfuqi). Prodhimi i tyre u bë në bashkëpunim me industrinë ushtarake.
Nga grupet e punës u kopjuan dy freza alpine për hapjen e tuneleve me diamater 12metra, të cilat u prodhuan me sukses dhe shërbyen në hapjen e tuneleve.
Uzina e Xhenjës ishte e angazhuar në projektimin dhe eksperimentimin e shkrehësit të minave kundertank, prodhimin në seri i shkrehësit kimik me veprim të ngadaltë.
Një tjetër punë ishte linja per prodhimin e elektrodetonatorve 0.7 seconda, e ndezësave me fërkim, te elektrodenatoreve me veprim të menjëhershëm.
Po keshtu janë projektuar sacmahedhësi i rëndë i xhenjos, flakëhedhesi me predhë reaktive që lëshohen nga instalime të lëvizshme.

Instituti, deri në mbylljen e tij, arriti të krijojë një dokumentacion teknik dhe shkencor të vyer për sektorin e mbrojtjes shqiptare.
Në arkivën ushtarake gjendet sot një sasi e konsiderueshme vizatimesh konstruktive, dosjesh teknologjike, raporte provash dhe projekte linjash prodhimi – një kapital teknik që përfaqëson dekada pune intelektuale dhe eksperimentale.
Ngjarjet gjeopolitike të kohëve të fundit kanë detyruar shumë shtete që, për të fuqizuar rritjen e prodhimit të armëve, municioneve, aparaturave e pajisjeve ushtarake për forcat Tokësore, Ajrore e Detare, të rrisin buxhetin e Mbrojtjes deri në 5%.
Në këtë kuadër edhe Shqipërisë, anëtare e NATO-s, i dalin detyra të rëndësishme në rijetësimin e Industrisë Ushtarake, për të rritur aftësitë mbrojtëse nëpërmjet prodhimit të armëve e municioneve, si për të plotësuar nevojat e Forcave të Armatosura, ashtu edhe daljen në tregun e jashtëm.
Qeveria Shqiptare ka miratuar një paketë ligjore për prodhimin e armëve e municioneve, e cila rregullon ushtrimin e këtij aktiviteti edhe për investitorët e huaj, të cilët mund të krijojnë ose jo partneritet në prodhimin e shoqërisë KAYO sh.a., krijuar kohët e fundit. UM Gramsh, ULP Mjekës Elbasan, KM Poliçan kaluan në varësi të shoqërisë KAYO sh.a.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, ish-Uzina e Autotraktorëve dhe ish-Uzina e Rubikut kalojnë në varësi të MM (KAYO sh.a.).
Në ish-Uzinën e Autotraktorëve do të ngrihen linja e montimit të mjeteve të blinduara, automjeteve për emergjencë, si dhe linja ku do të prodhohen uniformat për FA, për Policinë e Shtetit, Zjarrfikëset dhe Emergjencat Civile. Kalimi është një zgjidhje optimale.
Së pari, nga pikëpamja e sigurisë, proceset teknologjike që do të zhvillohen në këto linja nuk paraqesin rrezikshmëri për objektet e banimit që janë afër.
Së dyti, gazrat dhe lëngjet që mund të çlirohen nga proceset teknologjike nuk ndikojnë në ndotjen e mjedisit.
Së treti, sigurimi i fuqisë punëtore dhe i personelit inxhiniero-teknik është më i lehtë. Së katërti, transporti publik mbulon plotësisht ish-Uzinën e Autotraktorëve.
Ish-Uzina e Rubikut ka pasur dy linja për prodhimin e lëndëve të para për KM Poliçan (për prodhimin e fishekëve).
Linja kishte furrën me induksion për prodhimin e lingotave Tunxh 72, të cilat me makineri e pajisje ktheheshin në llamarinë që shërbente për prodhimin e gëzhojës së fishekëve.
Linja tjetër, e importuar nga Italia, do të realizonte procesin e mbimetalit. Ky proces mbeti në fazën e eksperimentimit.
Rijetëzimi i këtyre linjave do të jetë i rëndësishëm për furnizimin e KM Poliçan me lëndë të para për prodhimin e fishekëve.
Ngritja e këtyre linjave, si në ish-Uzinën e Autotraktorëve dhe në ish-Uzinën e Rubikut, do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomi, në rritjen e prodhimit për FA, në punësim dhe në teknologjinë e inovacionit.
Sektori i Teknologjisë në Institutin e Gjeografisë e Infrastrukturës, ka bërë oponencën e projekteve të hartuara nga tre uzinat ushtarake (Gramsh, Mjekës e KM Poliçan) për ngritjen e linjave të demontimit të municioneve, ka marrë pjesë aktive në uzina për zgjidhje të problemeve teknike-konstruktive që janë hasur gjatë procesit të ngritjes së linjave të demontimit të municioneve.
Ky sektor duhet të forcohet dhe të integrohet në rijetësimin e Industrisë Ushtarake për të qenë një mbështetje e fuqishme e teknologjisë dhe infrastrukturës.
Detyra aktuale e sektorit të teknologjisë është që, duke u mbështetur në dokumentacionin teknik të uzinave ushtarake dhe ISP6 për armatimin dhe municionet e prodhuara, të hartojë manualet e materialeve të lëndëve të para, si çeliqet, llamarinat e tunxhit etj., si edhe lëndët plasëse trotil, heksogjen etj., barutet që përdoren në prodhimin e fishekëve, të shtimjeve të mortajave, të artilerisë, lloji.
Markat dhe standardet e tyre duhet të konvertohen dhe përshtaten me standardet e Natos. Aparaturat e pajisjet e provave të balistikës së brendshme e të jashtme për armët e municionet duhet të rishikohen në përputhje me standardet e provave të balistikës së brendshme të Natos.
Prodhimi i armëve dhe municioneve kërkon edhe ambalazhimin në arka, të cilat mund të prodhohen nga uzinat e KAYO sh.a.
Për këtë është e nevojshme projektimi i arkave dhe hartimi i teknologjisë së prodhimit. Njëherazi, futja e armatimit, aparaturave dhe pajisjeve të reja kërkon mirëmbajtje, e dorë më dorë do të nevojiten pjesë këmbimi të konsumimit të shpejtë. Prodhimi i tyre kërkon gjithashtu punë projektuese.
Fuqizimi i punës studimore-projektuese për prodhimin e armëve e municioneve dhe pajisjeve të reja kërkon teknologji të reja.
Perspektiva për t’u integruar në standardet e Natos në fushën e logjistikës kërkon teknologji të reja inovative.
Problem i rëndësishëm është edhe rindërtimi i infrastrukturës së amortizuar të ish-uzinave ushtarake ku do të ngrihen linjat e reja, si dhe objekte të tjera ku do të vendosen linjat e reja të prodhimit të armëve e municionit.
Përcaktimi i linjave që do të ngrihen i hap rrugë projektimit të infrastrukturës sipas planetarive të shtrirjes teknologjike me makineri e pajisje.
Angazhimi i Inst. Gjeog. e Infrastrukturës, i cili ka një eksperiencë të vyer në këtë fushë, do të realizojë projektet e ardhshme ndërtimore.
Kualifikimi pasuniversitar i inxhinierëve është një sfidë për rijetësimin e Industrisë Ushtarake. Siç dihet, universitetet publike e private nuk diplomojnë Inxhinierë Armatim-Municioni, Inxhinierë Kimistë që njohin lëndët plasëse (TNT, RDX etj.) e barutet, Inxhinierë Aviacioni që njohin raketat ajër-ajër, ajër-tokë, bombat e aviacionit etj., Inxhinierë të Marinës që të kenë njohuri për minat detare, bombat e thellësisë, silurat, armët kundërajrore, raketat, etj.
Prandaj ky kualifikim duhet të shtrihet në kohë e të realizohet dorë më dorë, duke filluar me Inxhinierë Armatimi-Municionit dhe Inxhinierë Kimistë, e me radhë.
Shtrohet detyra për hartimin e programeve mësimore dhe sigurimin e stafit pedagogjik të këtyre fushave. Do të ishte e arsyeshme të aktivizohen pedagogët e këtyre fushave të cilët kanë dalë në pension.
Njëkohësisht duhet të sigurohet literatura e nevojshme për këto lëndë specifike. Pa kualifikimin e inxhinierëve nuk mund të realizohen metodat kërkimore-shkencore të avancuara në teknologjinë e prodhimit të armëve e municioneve.
Inxhinierët duhet të përgatiten për aplikimin e teknologjisë inovatore, e cila ofron njohuri teorike e praktike për të kontribuar në rijetësimin e Industrisë Ushtarake.
Aktualisht MM nuk ka institute përkatëse për futjen e teknologjisë inovatore në linjat që do të ngrihen për prodhimin e armatimit e municioneve.
Sugjerojmë që të planifikohen fonde për disa tema të prodhimit të armatimit e municioneve apo aparaturave të nevojshme për FA, e më tej të angazhohen universitetet publike e private që të realizojnë futjen e teknologjive inovatore në këto linja.
MM, me krijimin e shoqërisë KAYO sh.a. dhe Ligjeve për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake do të realizojë me sukses rijetësimin e Industrisë Ushtarake.
Krahas saj, blerja e armatimeve të reja, siç ishte rasti i dronëve Bajraktar etj., do të ishte një vlerë e shtuar në fuqinë mbrojtëse të Shqipërisë.
Shënim: *Prof. Ass. Dr. Ismet Drenova është ish- Kryeinxhinier i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve 6, konsulent i projektit të NAMSA-NATO për demilitarizimin e armëve të vogla dhe të lehta
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



