Nga Gazeta ‘Si’- Në konferencën e sotme për mediat, Sali Berisha u pyet për analizën brenda PD-së për humbjen e 11 majit.
Kreu i PD-së, më herët, ka argumentuar se vonesa e analizës ka ardhur për shkak se kanë pritur që të dalë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet.
Por ndërsa ka kaluar një muaj që nga publikimi i këtij raporti, Berishës iu adresua e njëjta pyetje.
Berisha pretendoi se me denoncimet që kanë bërë kanë arritur që të faktojnë farsën elektorale të 11 majit.
Më tej, ai tha se i garanton anëtarët dhe mbështetësit e PD se do të angazhohen në një proces ringritje.
“Absolutisht është deklaruar haptas në mënyrë transparente, se vonesa e analizës, e diskutimit në parti për farsën elektorale dhe grabitjen e zgjedhjeve, ka pasur vetëm një shkak madhor, dhe ky shkak ka qenë pritja e publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR.
Pra ka qenë, njëkohësisht përpjekja jonë e jashtëzakonshme që Edi Rama të ndikonte dot në ndryshimin e raportit paraprak fillestar, siç u angazhua ai me të gjithë potencialin e qeverisë dhe propagandës së tij.
Ka qenë paraqitja para publikut shqiptar dhe ju jeni dëshmitar, që nga data 15 maj dhe pas, çdo ditë të fakteve dhe dokumenteve të pakundërshtueshme të cilat rrëzonin, ose faktonin për çdo shqiptar dhe botën, farsën elektorale të 11 majit.
A ia dolëm ne këtu? Ne ja dolëm plotësisht. Tani, Sali Berisha ka deklaruar me dhjetëra e dhjetëra herë para shqiptarëve, dy gjëra. Së pari, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Së dyti, unë do të mbroj votën. Kam deklaruar do të mbroj votën. PD do të mbrojë votën dhe PD e mbrojti votën. Nuk mbrohet vota me kallashnikov, vota u damkos si farsë. U rreshtuan në komunitetin ndërkombëtar një e nga një, të gjithë ata faktorë antikushtetues, antidemokratik, të gjitha ato ndërhyrje që shkelën në mënyrë flagrante dokumentet ndërkombëtare, për zgjedhjet e lira, parimin e zgjedhjeve të lira. Përdorimin e të gjitha mjeteve të administratës për të grabitur zgjedhjet.
Unë garantoj dhe ka filluar debati në bazë, janë krijuar grupet e punës, është formuluar udhëzuesi dhe mbi bazën e tij në të gjithë PD-në do të bëhet një diskutim me synimin më kryesor të një forcimi të kësaj partie për betejën vendimtare kundër narkoregjimit tani”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



