Politike

Qeveria, kërkesë Kushtetueses: Pezullimi i Belinda Ballukut sjell pasoja institucionale. Ka imunitetin e deputetit

Gazeta Si – Përmes një shkrese zyrtare, Këshilli i Ministrave i kërkon Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.

Në kërkesë, shkruhet se vendimi i GJKKO cënon garancinë e imunitetit të anëtarit të këshillit të ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.

Qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO-së vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke pretenduar se ky vendim prek interesa të larta shtetërore, shoqërorë, por edhe të vetë individëve.

“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional, pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për t’u miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që drejtohet nga ministri i pezulluar”, argumenton Këshilli i Ministrave në dokument.

Sipas qeverisë, Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat të drejta me deputetët.

Një tjetër argument i qeverisë është se me pezullimin e Ballukut, Këshilli i Ministrace nuk shqyrton e as nxjerr akte për nismat në ‘Infrastrukturë dhe Energji’, duke penguar zhvillimin në një nga sektorët jetik të vendit.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është e pandehur për procedurat e dyshuara të parregullta në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë