Politike

Berisha: Gonzato përçon propagandën e Ramës

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se PD është para disa sulmeve, sipas tij nga individë të caktuar që përfaqësojnë në Shqipëri BE.

Berisha drejtoi gishtin nga ambasadori BE, Silvio Gonzato, që sipas tij i thotë deputetëve të PE se ‘kreu i PD nuk është pro perëndimor, ka axhendë MAGA-ën dhe jo integrimin’.

Sipas Sali Berishës, Gonzato u përcjell ligjvënësve evropianë propagandën e Edi Ramës. Ai thekson se “PD ka qenë dhe mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit”.

“Opozita ndodhet para disa sulmeve të targetuara të individëve të caktuar që janë në Komisionin Europian ose që përfaqësojnë në Shqipëri, Bashkimin Europian.

Të ngjashme, por jo identike me qëndrimet e zonjës Kos janë qëndrimet e ambasadorit Gonzato, i cili është një përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur.

Lidhur me këtë të fundit, unë u kam informuar ju se ky zotëri, për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi axhenda e tij është MAGA dhe jo integrimi”, tha Sali Berisha, i cili hodhi poshte pretendimet e ambasadorit, duke deklaruar se “jane trillime dhe ashtrime”.

Ai gjithashtu deklaroi se Partia Demokratike ka dënuar deklaratën e Marta Kos, e cila tha se ‘zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira’.

Sipas Sali Berishës, deklaratat e Kos kanë qenë të frymëzuara, por edhe të paguara nga Edi Rama dhe ekstremizmi politik i majtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë