Nga Gazeta ‘Si’- Shefi i diplomacisë greke Giorgos Gerapetritis ka hartuar një plan të ri veprimi për marrëdhëniet me Tiranën zyrtare, të cilin do t’ia paraqesë më 16 dhjetor homologes shqiptare Elisa Spiropali në të parën vizitë në Athinë.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, lidhshmëria mes të dyja shteteve fqinjë, dhe ndarja e kufirit detar janë në axhendën e Gerapetritis për takimin e mesdhjetorit në tokën helene.
Udhërrëfyesi i ri Athinë–Tiranë u hartua sipas mediave greke pas rizgjedhjes të Edi Ramës për një mandat të katërt qeverisës, me premtimin popullor për anëtarësim të vendit në BE deri në vitin 2030.
Çështja pezull e zonave ekonomike detare në detin Jon greko-shqiptare thuhet se në Athinë po fiton tani një vrull të ri në dritën e lëvizshmërisë më të gjerë në rajon dhe të projekteve të ndryshme të energjisë.
Greqia dhe Shqipëria kishin rënë dakord që në vitin 2020 ta paraqisnin mosmarrëveshjen për delimitimin e ZEE-së në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por kjo çështje dypalëshe ka mbetur ende pezull.
Shqipëria do të ketë nevojë që të mbështetet te fqinji jugor edhe për faktin se plani i saj për përfundimin e bisedimeve të pranimit në BE deri në vitin 2027, përkon me kohën kur Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit Evropian.
Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, u ka paraqitur homologëve evropianë qëllimin e vendit të tij për të ndërmarrë, në kuadër të presidencës greke, një iniciativë që do të përshpejtonte rrugën e shteteve ballkanike drejt familjes evropiane.
Kjo sipas tij do të kishte rëndësi për këtë rajon për shkak të tensioneve dhe nacionalizmave në rritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



