Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot fjalimin historik të Robert H. Xheksonit, kryeprokurorit legjendar amerikan.
Në postimin e tij në Facebook, Rama thekson se mesazhi i tij për prokurorinë e drejtë dhe të pavarur mbetet më i vlefshëm se kurrë për demokracitë moderne.
“Fjalët e tij të kumtuara në mes të shekullit të kaluar, mbeten udhërrëfyese për këdo që beson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues. Dhe po e ndaj sot me ju, sepse paralajmërimet e kryeprokurorit legjendar të Amerikës, njeriut që shkroi etikën moderne të prokurorit demokratik, tingëllojnë sot si të shkruara për ne”, shkruan Rama.
Ndër të tjera, Rama thotë se Xhekson i mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.
“Ndërsa mua personalisht, ai më ka mësuar diçka tejet frymëzuese për të ecur drejt, vetëm përpara, të cilën asnjë prej baltosësve të mi nuk e kupton dhe s’ka për ta kuptuar kurrë dot, siç fatmirësisht e kupton fare mirë shumica e shqiptarëve”.
Në vitin 1940, Xhekson paralajmëronte se fuqia e prokurorit është e jashtëzakonshme, por mund të jetë po aq e rrezikshme kur përdoret për motive personale, ambicie politike apo për të ndëshkuar të padëshiruarit. Ai nënvizonte se detyra e prokurorit nuk është të fitojë çështje, por të bëjë drejtësi, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën.
Ky reagim i kreut të qeverisë vjen pas deklaratës së tij dje, 21 nëntor, gjatë konferencës që u mbajt pas samitit rajonal në Tiranë, ku vendimin e GJKKO-së për numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cilësoi “një arbitraritet që duhet të marrë përgjigje në formë ligjore” dhe “si rast unikal në Europë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



