Gazeta Si – Në një seancë maratonë, që zgjati thuajse 16 orë, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin 2026 me vlerë 8.8 mld euro, si edhe 8 projektligjet e paketës fiskale.
Seanca maratonë zgjati deri në orën 03:00 të mëngjesit. Buxheti mori vetëm 83 votat pro të socialistëve, ndërsa siç pritej, opozita votoi kundër.
Vetëm dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj dolën nga rreshti duke mos votuar 3 projektligje të paketës fiskale.
Konkretisht, Braçe nuk mori pjesë në votim tek projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, ndërsa Sinaj nuk votoi 2 projektligjet e paqes fiskale.
Buxheti prej 8.8 miliardë eurosh do të jetë në dispozicion të institucioneve për shërbime shëndetësore, paga, skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.
Si u votuan projektligjet?
Procedurat tatimore – 83 pro, 31 kundër
Tatimi mbi vlerën e shtuar – 83 pro, 32 kundër
Tatimi mbi të ardhurat – 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk votoi)
Sistemi i taksave vendore – 83 pro, 32 kundër
Fatura dhe monitorimi i qarkullimit – 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)
Marrëveshja e paqes fiskale – 83 pro, 31 kundër
Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme – 82 pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)
Fshirja dhe shuarja e detyrimeve tatimore – 83 pro, 32 kundër
Projektbuxheti 2026 – 83 pro, 32 kundër
Një nga ligjet më të rëndësishme të paketës është ai për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, që parashikon heqjen e rreth 500 milionë eurove borxhe dhe gjoba të papaguara deri më 31 dhjetor 2014.\
Për detyrimet e krijuara nga viti 2015 deri në vitin 2024 do të ketë lehtësime, por bizneset duhet të shlyejnë një pjesë të shumave brenda vitit 2026.
Ndërkohë, “paqja fiskale” krijon mundësinë që bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë të nënshkruajnë një marrëveshje trevjeçare me administratën tatimore për të përcaktuar normën e fitimit të tyre. Fitimit të deklaruar i shtohet një marzh 18%, i cili tatohet me 15%, ndërsa çdo fitim që e kalon këtë nivel tatohet me 5%, duke u konsideruar një lehtësim për bizneset e mëdha.
Edhe projektligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme parashikon një normë tatimi prej vetëm 5% për përafrimin e vlerës së pronave me tregun, duke ulur ndjeshëm tatimin që aktualisht paguhet mbi fitimin nga shitja e pasurisë.
Ndryshimet e reja në ligjin e TVSH-së sjellin rikthimin e skemës së kompensimit për fermerët, të cilët do të përfitojnë 10% të vlerës së faturës që marrin nga grumbulluesit.
Kufizohet më tej edhe përdorimi i parasë në dorë: bizneset nuk mund të kryejnë pagesa mbi 100 mijë lekë mes tyre, ndërsa individët dhe të vetëpunësuarit nuk mund të bëjnë pagesa në cash mbi 500 mijë lekë.
Ligji i ri për taksat vendore parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të të gjitha investimeve publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Në paketë përfshihen edhe ndryshimet për faturimin elektronik, si dhe lehtësime të reja fiskale për sponsorizimet në sport, kërkim dhe zhvillim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



