Politike

Rama në Kuvend i përgjigjet akuzave të PD-së, deputetët i kthejnë shpinën

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama është rikthyer në Kuvend pas disa kohësh mungesë ku mbajti dhe një fjalim për t’ju përgjigjur akuzave të opozitës.

Fillimisht, kur Rama doli në foltore, deputetët e PD-së i kthyen shpinën. Kreu i qeverisë i ironizoi teksa iu tha se “më mirë shpina sesa fytyra juaj”. 

“Edhe të ankoheni për ligjin edhe të më ktheni mua kurrizin, sikur nuk shkon mor burrë, megjithatë faleminderit sepse më mirë shpina se fytyra juaj”, tha kreu i qeverisë.

Ai ironizoi deputetin Flamur Noka lidhur me deklaratën e këtij të fundit për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.

“E ka besnikërinë ndaj kryetarit të partisë monopol. Unë do e quaja Besnik Flamur Noka. U ngacmova dhe nga një deputet tjetër, duhet të ndani opinionet nga ofendimet”, iu tha Rama opozitarëve.

Më tej, kryeministri pati dhe një përgjigje të tërthortë për aferën e Tunelit të Llogarasë, duke thënë se “50 mln euroshi i tunelit të Llogarasëështë njësoj si 450 mln euroshi i inceneratorëve”.

“Ndërkohë që dëgjova këtu që në Shqipëri paska një taksë korrupsion dhe me 450 milionë euro të inceneratorëve mund të bëhej një rritje agresive e pensioneve. Ky 450 milionë euroshi, është thjeshtë aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por e kujtoj përmes jush. 7x 7=42. Ky konstatim nuk figuron asgjëkund në asnjë nga fashikujt e një çështje të hetuar prej shumë vitesh. As 45 nuk duken asgjëkund. Gënjeshtrat tuaja, janë me dhjetëra herë mbi realitetin”, tha Rama.

“Deputeti që rri përballë, ligji nuk e ka infektuar. Sa kohë do të vazhdoni të bëni prokurorinë popullore, do vazhdon të jeni aty ku jeni dhe më të tkurrur. Këtu nuk jemi për të diskutuar për ju, por meqë më ngacmoni sa herë ju shoh.

Dua ta nis me varfërinë dhe me të ardhurat sepse pikërisht tek raporti me varfërinë është arsyeja pse jemi në mandatin e 4. Sa i përket tunelit të Llogarasë 50 mln është si ai 450 mln i inceneratorëve. Rrini fort ligjit andej ( i drejtohet opozitës). Sot pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe jo atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe kur dalin në rrugë mbesin kashtë e koqe, siç më thanë që kishin mbetur para dy netësh”, tha Rama ndërsa foli edhe për hetimet e OLAF në Shqipëri për fondet e IPARD.

Kryeminstri tha se janë të pakta vendet në Europë, ku OLAF nuk ka gjetur shkelje si ato në Shqipëri, me fondet e IPARD të bujqësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë