Politike

Berisha: Të mërkurën do paraqitem në SPAK për ’21 Janarin’

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ditën e nesërme (të mërkurën, 19 Nëntor) do të paraqitet në SPAK për të dëshmuar si person në dijeni për dosjen e 21 Janarit.

“Do të shkoj, nesër do të jem aty”, tha Berisha, duke e konsideruar si një hetim politik.

Kryedemokrati theksoi se më 21 Janar u tentua të pushtohej Kryeministria, teksa theksoi se ishte protesta më e dhunshme.

“PS kishte agjendë dhune, kuptohet pse përdoret dhuna”, tha ai, ndërsa u shpreh se Rama është përgjegjësi kryesor.

“Do të shkoj, nesër do të jem aty, Është hetim politik pasi kjo çështje ka qenë e hetuar. Por nuk jam thirrur, nuk jam marrë në pyetje, nuk u leverdiste të më thërrisnin sepse isha njeriu i sulmuar, i rrethuar, Sigurisht që do të shkoj, kam qenë 5-6 orë në rrethim në përpjekje për të pushtuar Kryeministrinë. Ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, qindra mijëra gurë u hodhën drejt gardistëve, ligji e përcakton qartë qëndrimin e rojës, janë hedhur eksplozivë drejt tyre, u përdorën makina për të thyer derën.

Padiskutim që do të shkoj. PS kishte agjendë dhune, kuptohet pse përdoret dhuna. Është organizatori kryesor, shiheni kur bën me shenjë nga dritaret e mia. Dritaret e mia kanë marrë gurë e plumba. Rama do të dalë organizator i një proteste që synonte pushtetin me dhunë. Ndaj u rrethua Kryeministria“, tha Berisha.

Kreu demokrat i tha SPAK-ut se nuk mund të paraqitej të enjten (kur ishte ftesa fillimisht, sepse ishte jashtë shtetit) dhe për këtë arsye, Struktura e Posaçme e ftoi Berishën të mërkurën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë