Berisha nis foltoren qytetare-parlamentare: Edvin, nga ky shesh do të vijë fundi yt! (foto)
19:28 - 17 Nëntor 2025
Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha nisi ‘Foltoren 2’. Kësaj radhe jo më poshtë banesës së tij të cilën e drejtonte nga ballkoni, por përballë Kryeministrisë.
Ndryshe nga protestat kombëtare të PD, Sali Berisha shmangu selinë e PD dhe iu bashkua militantëve në protestë nga banesa e tij. Kryedemokrati theksoi se me këtë protestë nis një foltore parlamentare-qytetare përpara kryeministrisë, të cilën ai e quajti ‘pallati i krimit’.
“Liria është si një lumë, i cili në asnjë lloj përpjekjeje nuk mund ta ndalosh. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Kjo është platforma parlamentaro-qytetare, që ne inaugurojmë sot. Para pallatit të krimit, para pallatit të krimit historik ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me vendimet e tij përzuri nga Shqipëria, në vitet e qeverisjes së tij, më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare. Para pallatit që me krim monstruoz ndaj shqiptarëve, i zvogëloi ata dhe i riktheu 10 vite mbrapa”, tha Berisha.
Sipas tij, përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion u përballën me tonelatat e eurove të drogës.
“U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve, terroristë të votës, me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike të gjithanshme të shtetit mafioz, të narko shtetit. Vetëm e vetëm se rotacioni largimi nga pushteti i tyre është tmerr nga krimet që kanë kryer”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek seancat që janë bërë në parlament. Ai tha se opozita nga 10 seanca u lejua që të flasë vetëm në një prej tyre.
Berisha theksoi se mazhoranca hodhi poshtë edhe kërkesat që ishin paraqitur nga opozita.
‘Kjo ngrehinë e kalbur po shkatërrohet dhe po shkërmoqet dhe nuk pret asgjë tjetër veçse vrullin tonë. Por ajo që kulmoi në qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja e parlamentit. Edi Rama dhe banda e tij të dalë nga grabitja e votës dhe nga paratë e drogës, nga aferat më të mëdha korruptive, patën frikë dhe tmerr nga fjala e deputetëve të opozitës në parlament dhe ata zgjodhën bllokimin dhe errësirën.
Në 10 seanca parlamentare si kurrë në histori opozita u lejua që të debatojë vetëm në një seancë. Në 10 seanca qeveria e përbërë nga individë të lidhur me krimin, nga lubira dhe të tjera u votua për 28 minuta për të treguar se ajo ka frikë dhe tmerr nga ju. Në 10 seanca u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhjeve të cilat janë faktuar si farsë elektorale tashmë”, tha Sali Berisha.
Berisha sulmoi edhe ligjin “Për barazinë gjinore”. Ai tha se sipas tij ky ligji shkatërron vlerat e familjes dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku se sipas tij po kërkojnë të shkatërrojnë institucionin e familjes.
“Atë ligj shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë. Familja shqiptare, institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari. Kjo familje këtë komb e ka sjell gjerë në ditët e sotme nga lashtësia. Këtë familje Rama kërkon ta shkatërrojë. Kjo familje do mbrohet me çdo çmim”, tha Berisha.
Protestuesit kishin në duar edhe pankarta në të cilat shprehnin qëndrimin kundër ligjit për barazinë gjinore, i cili u miratua pak javë më pare pa debat në Kuvend.
“Një komb dy gjini”, “PK, PPSH, PS: TRE EMRA, 3 GJINI”, “Pastor komunist ka vetëm në PS”, ishin disa nga pankarat e protestuesve.
Berisha rikujtoi protestat e mëparshme kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe shtoi se tek ai “në burg”, opozita sipas tij do të dërgojë edhe kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Edvin, nga ky shesh do të vijë fundi yt” – deklaroi Berisha mes ovacionesh në protestë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e kishte paralajmëruar prej ditësh protestën para zyrës së Kryeministrit, duke e cilësuar atë si “ditën e parë të parlamentit për qytetarët”.
Në një komunikim virtual, ai sqaroi se protesta do të shërbejë si një “foltore parlamentaro-qytetare”, që do të mbahet një herë në javë përpara Kryeministrisë.
Sipas tij, deputetë dhe qytetarë do të kenë mundësinë të shprehin publikisht shqetësimet e tyre. Berisha shtoi se opozita po projekton edhe protesta të tjera, të cilat do të zhvillohen “në kohën e përshtatshme”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.