Nga Gazeta ‘Si’- Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi mbi kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e mocionit me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik.
Në Konferencën e Kryetarëve u mor në shqyrtim kërkesa e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të PD-së, të cilët kërkonin zhvillimin e mocionit me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik si dhe hapat konkrete që janë ndërmarrë për miratimin e minimumit jetik në Shqipëri.
Për sa i përket kësaj kërkese, palët nuk patën mirëkuptim për zhvillimin e saj dhe çështjet i kaluan seancës plenare.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se sipas tij ka uzurpuar plotësisht axhendën e Kuvendit.
Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se në rend dite përfshihen vetëm nisma të qeverisë dhe asnjë propozim deputetësh, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme në një vend demokratik.
Bardhi kritikoi gjithashtu mënyrën e shpërndarjes së fondeve, të cilat sipas tij nuk shkojnë te qytetarët në nevojë, por shërbejnë për abuzime dhe vjedhje.
“Nuk ndodh në asnjë vend demokratik që axhendën e Kuvendit ta caktojë 100% qeveria. Në axhendë ka vetëm nisma të qeverisë dhe asnjë nismë deputetësh. U tha këtu që kanë ardhur më shumë kërkesa për debat sesa në 4 vite bashkë. Pse, kush ju pyet ju? Ju e përcaktoni këtë. Na u tha këtu se po jepen 1.8 miliardë euro në muaj. I bie 36 mijë lekë të vjetra për familje në nevojë. Po jeton dot Taulanti me 36 mijë lekë në muaj? Jo, nuk jeton.
Na u tha se “buxheti më i madh”, por ky është buxhet për vjedhje, nuk shkon te qytetarët.
Opozita nuk mund të jetë fasadë këtu. Po kërkoni opozitë fasadë. Dhe kjo, Kryetar, është çështje e jotja. Duhet të merrni masa për të respektuar të drejtat e opozitës, ndryshe opozita nuk ka çfarë të bëjë këtu. Ne nuk jemi fasadë”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



