Nga Gazeta “SI”- Gjakova prej kohësh ka rimarrë rolin e kryeqendrës së artit dhe kulturës. Me “Ditët e Shqiptarit” dhe “Ditët e Nëntorit”, dy ngjarje të mëdha të shtrira në kohë, Gjakova po shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm kulturor. Në këtë kuadër u organizua edhe koncerti i sopranos shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, natën e 15 nëntorit, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.
Në këtë pikë merita i takon Ermal Hasimes, dhe stafit të “Fondacioni për Gjakovën” të cilët dashurinë për vendin e tyre e kanë sublimuar në këtë mënyrë, duke i rikthyer identitetin nëpërmjet artit.
Salla gumëzhinte nga emocioni, fytyrat e njerëzve mbartnin pritjen e një mbrëmjeje të jashtëzakonshme, ndërsa tingujt e pianos së provës përziheshin me pëshpëritjet e publikut.
Ishte thënë të ishte pjesë e një rrëfimi, nga ato që të nguliten thellë në zemër. Një histori që niste me rikthimin e një emigranti në vendlindje pas shumë vitesh, teksa ai përshkonte Shqipërinë nga jugu në veri, duke u çmallur e duke u mbushur me frymën e atdheut. Një gjakovar që kalon nga Berati, Durrësi, Tirana e Shkodra, për të mbërritur më në fund në Gjakovë. Një udhëtim i shkruar në formën e një letre, një rrëfimi dhe një porosie, i cili do të përshkonte të gjithë mbrëmjen e 15 nëntorit në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, aty ku Ermonela Jaho dhe orkestra e TKOBAP në dirigjimin e Sergio Alapont, performuan për gati dy orë para një publiku të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare.

Atë mbrëmje iu këndua dashurisë, lumturisë, brengës, mallit dhe humbjes , e sidomos humbjes. Veprat e kompozitorëve më të njohur klasik u sollën në një përshtatje të shkëlqyer me historinë shqiptare, e cila, në këtë rast, përfaqësohej nga një emigrant që me valixhen e tij mbante kohën e humbur dhe vitet e shumta larg vendit.
Historia e Gjakovës është një histori triumfi: sesi dhimbja, humbja, brenga dhe vdekja janë sfumuar shpesh nga jeta dhe qëndresa. Ali Podrimja, Enver Gjerqeku, Abdurrahim Buza, Ali Oseku, Shqiptar Oseku janë vetëm disa nga figurat e artit që e kanë përjetësuar Gjakovën, duke i dhënë asaj një identitet të pathyeshëm dhe të pandryshueshëm. Por, siç u tha, historia e Gjakovës kalon përmes dhimbjes dhe humbjes , dhe këto elemente nuk mund të mungonin as në shfaqjen e Jahos.

Në një moment, rrëfimtari nisi të tregonte historinë e Ferdonije Qerkezit dhe Pashke Krasniqi Markajt, dy nëna që kishin humbur bijtë e tyre dhe që tashmë janë bërë simbol i qëndresës në të gjithë Kosovën. Dhe aty, nga skena, Ermonela Jaho e përlotur dhe me frymëmarrje të shpeshtuar nisi të këndonte “Suor Angelica” të Puccinit, një nga ariet më prekëse dhe më tronditëse të repertorit klasik botëror.
Në sallë fillimisht ra një heshtje e plotë, ajo lloj heshtjeje që lind vetëm kur arti prek diçka shumë të thellë në shpirtin e njerëzve.

Pastaj pati lot e dhimbje, e pas tyre shumë duartrokitje. Ovacionet u shtuan edhe më tepër kur, në mes të sallës, nëna Ferdonije u ngrit, i puthi duart Ermonelës dhe ia mbështeti ato në kraharor, si për ta falënderuar për interpretimin që, në atë mbrëmje, përjetësoi kujtimin e djemve të saj të humbur përmes Angelicës së Puccinit.
Ermonela Jaho tronditi sallën me performancën e saj. Nuk pati vend për aktrim, sepse lotët e saj ishin të vërtetë, ashtu si frymëmarrja e shpeshtuar që i jepte asaj përmasën e një dive. Duke ndarë skenën me sopranot e reja gjakovare dhe me nxënësit e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, ajo dëshmoi madhështinë dhe misionin e saj, duke u dhënë atyre të rinjve çaste të paharrueshme, të cilat do t’i kujtojnë gjatë.

Kjo mbrëmje ishte rikthim te humbjet dhe shpresat kolektive, një rikujtim se arti ka fuqinë të shërojë plagët më të vjetra. Dhe kështu, të gjithë të pranishmit, që në fund e duartrokitën gjatë, mbetën të bindur se sado e gjatë të jetë ajo rrahje duarsh, kurrë nuk do ta përmbushë plotësisht mirënjohjen ndaj një dive që na bën krenarë kudo në botë.
Në fund të fundit , Gjakova nuk duartrokiti vetëm një artiste të madhe por shpirtin, guximin dhe të gjithë kujtesën që ajo ringjalli nëpërmjet zërit të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



