Shendet

Studimi: Ushqimet ultra të përpunuara rrisin rrezikun e kancerit të zorrës së trashë tek të rinjtë

Shkencëtarët kanë identifikuar një nxitës të mundshëm të rritjes globale të kancerit të zorrës së trashë tek të rinjtë: ushqimet ultra të përpunuara.

Ka një rritje të kancerit kolorektal, dikur të menduar si sëmundje e moshës së tretë dhe tani po diagnostikohet para moshës 50 vjeçare.

Këta pacientë shpesh diagnostikohen në një fazë të mëvonshme dhe si rezultat kanë dhe më pak mundësi mbijetese, duke i shtyrë studiuesit të hedhin një vështrim më të afërt se si ndryshimi i dietave tona mund të ndikojë në shëndetin tonë.

Për studimin e fundit, studiuesit analizuan dietat dhe rezultatet e endoskopisë së më shumë se 29,000 grave në Shtetet e Bashkuara. Ato kishin qasje në më shumë se dy dekada të të dhënave shëndetësore.

Gratë që hanin ushqime më të ultra-përpunuara kishin një rrezik 45% më të lartë për të zhvilluar adenoma, rritje ose polipe në zorrën e trashë dhe rektum që mund të çojnë në kancer, krahasuar me gratë që hanin më pak ushqime të ultra-përpunuara.

Shumica e polipeve janë beninje, por disa rriten dhe zhvillohen në kancer, zakonisht gjatë disa viteve.

“Rreziku në rritje duket të jetë mjaft linear, që do të thotë se sa më shumë ushqime ultra të përpunuara të hani, aq më shumë mundësi ka që kjo të çojë në polipe të zorrës së trashë”, tha në një deklaratë Andrew Chan, një nga autorët e studimit.

Chan tha se ngrënia e më pak ushqimeve ultra të përpunuara- të cilat zakonisht kanë shumë sheqer, kripë, yndyrë të ngopur dhe aditivë- mund të ndihmojë në “zbutjen e barrës në rritje të kancerit kolorektal me fillim të hershëm”.

Studimi, i cili u botua në revistën JAMA Oncology, nuk vërteton se ushqimet ultra të përpunuara shkaktojnë kancer. Por ofron disa të dhëna se si dieta mund të ndikojë në rreziqet shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë