Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se duhet të ndryshojë mënyra e organizimit të administratës zgjedhore.
Ai bëri me dije se nga 40 mijë komisionerë që angazhohen në procesin zgjedhor, vetëm 30% e tyre janë të trajnuar nga KQZ.
Celibashi theksoi se dominimi vetëm nga partitë politike i administrimit të zgjedhjeve ka krijuar, sipas tij handikapin e vet në lidhje me standardin profesional të administrimit të zgjedhjeve”.
Prandaj bëri thirrje se është e rëndësishme që edhe në kuadër të reformës zgjedhore kjo çështje të jetë ndër të parat që duhen adresuar nga politika shqiptare.
“Më së pari është rasti ta rikonfirmoj qëndrimin dhe pikëpamjen e KQZ-së për të ndryshuar definitivisht mënyrën si administrata zgjedhore në Shqipëri është e organizuar. Absolutisht kjo nuk do të thotë që partitë politike të zhvishen tërësisht nga interesi i tyre jo e jo, por edhe nga mundësia për të qenë pjesë e administrimit, por jo siç është sot që 100% e procesit administrohet prej tyre”, tha ai.
Sipas Celibashit ky projekt është ndër më të rëndësishmit e KQZ pasi do ta ndryshojë situatën e administrimit të zgjedhjeve “në mënyrë dramatike për mirë”.
“Jemi të ndërgjegjshëm që ky është një proces i vështirë dhe do marrë kohën e vet. Është një proces që kërkon mbështetjen jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe të partive politike. Për fat duket që së fundmi edhe ata e kanë kuptuar që mënyra si administrata zgjedhore është organizuar dhe çfarë kjo administratë jep ka nevojë të ndryshohet dhe i mbështesin, të paktën nga ajo që kemi konstatuar, përpjekjet e KQZ-së por edhe partnerët të KQZ-së për të shkuar në këtë drejtim. Do të jetë një ndryshim thelbësor në atë sesi zgjedhjet mund të administrohen në të ardhmen”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



