Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rolin kyç të reformës zgjedhore si pjesë të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas tij, zgjedhjet transparente, qeverisja llogaridhënëse dhe pjesëmarrja qytetare janë themele të anëtarësimit në BE.
Gonzato gjithashtu shtoi se është e rëndësishme që mes parlamentit dhe ekzekutivit të ketë dialog.
“Autoritetet gjyqësore, SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli Gjyqësor, raportojnë rregullisht në parlament.
Dhe mendoj se është e rëndësishme që këto debate të zhvillohen, që anëtarët e parlamentit t’i pyesin këto institucione, a po bëni mjaftueshëm për qytetarët? Por që ata gjithashtu t’i dëgjojnë kërkesat e tyre, sepse këto institucione ndonjëherë kërkojnë më shumë mjete, kërkojnë më shumë struktura, për më shumë, e dini, për disa rregullime të veçanta të ligjeve që rregullojnë funksionimin e tyre, etj.
Pra, është një dialog që duhet të zhvillohet dhe është shumë e rëndësishme që të zhvillohet. Pra, nuk më pëlqen termi monitorim sepse nuk mendoj se parlamenti duhet të monitorojë institucionet e pavarura, por duhet të ketë një dialog midis të dyjave”, tha ambasadori i BE.
Ai tha se demokracia nuk është statike por evoluon duke u mbështetur në institucione të forta, teknologji moderne dhe vlera si transparenca dhe integriteti.
“Demokracia nuk është diçka stacionare, evoluon nëpërmjet institucioneve dhe teknologjisë, por mbështetet në vlera të përbashkëta, transparencë e integritet, dhe besimin tek zgjedhjet dhe BE qëndron e palëkundur në mbështetjen e Shqipërisë, në veçanti të KQZ-së në këtë drejtim”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



