Politike

KLSH dhe Konkurrenca kërkojnë më shumë para nga qeveria: S’kemi punonjës, godina dhe as tualete!

Nga Gazeta Si- Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka kërkuar në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare shtim të personelit.

Përfaqësuesja e KLSH-së Alketa Kalleshi thotë se institucioni për vitin 2026 ka kërkuar rritjen e numrit të punonjësve në 253, ose 10 më shumë se organika aktuale.

“Kërkesa jonë për shtimin e personelit mbështetet në rritjen e kërkesave nga Kuvendi dhe nevojën për më shumë auditime në fusha me ndjeshmëri të lartë publike, sidomos në kuadër të integrimit europian”, tha ajo.

Në zërin e mallrave dhe shërbimeve, KLSH ka kërkuar një fond prej 117.3 milionë lekësh, rreth 44,6 milionë lekë më shumë se një vit më parë, për të mbuluar nevojat shtesë që lidhen me auditimet dhe organizimin e një eventi ndërkombëtar në vitin 2026.

Gjithashtu, institucioni ka kërkuar edhe investimin në ndërtimin e një godine të re në ish-parkun e automjeteve të KLSH-së.

Institucioni ka kërkuar 91.6 milionë lekë, me një rritje prej 60 milionë lekësh krahasuar me vitin 2025 për ndërtimin e një godine të re.

Në total, krahasuar me buxhetin prej 694 milionë lekësh të vitit 2025, KLSH parashikon një rritje prej 13%, duke e çuar fondin për vitin 2026 në 885 milionë lekë.

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba në Komision

Edhe kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, është ankuar në Kuvend për trajtimin financiar të institucionit që ai drejton.

Në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, teksa është diskutuar projektbuxheti për vitin 2026, Biba fillimisht ngriti shqetësimin për piramidën e pagave te Autoriteti i Konkurrencës.

“Buxheti i vitit 2026 kërkohen 14.2 milionë lekë shtesë për investime, për të mundësuar zgjerimin e platformës elektronike, përmirësimin e serverave, pajisje të reja si dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së teknologjisë. Dua të ndalem të çështja thelbësore e kapaciteteve njerëzore. Duhen vite që të trajnosh një inspektorë të Autoritetit të Konkurrencës. Gjatë vitit 2024 na janë larguar tre inspektorë për shkak të kushteve të këqija të punës dhe të një pagë jo konkurruese krahasuar me privatin. Janë 7 vetë në një zyrë 9-10 m2, si sardelë. Nuk kërkojmë rritje pagash por të paktën të marrin shtesë për vështirësi pune. Aktualish Sekretari i Përgjithshëm i institucionit ka pagë më të lartë edhe se drejtori, apo anëtarët e komisionet. Domethënë ka një problematikë të madhe në hierarkinë e pagave”, tha Biba.

Ai kërkoi një zgjidhje urgjente teksa foli edhe për një tjetër problematikë atë të higjienës. Sipas tij janë 35 zonja që detyrohen të përdorin vetëm 1 tualet.

“Ne jemi në kushtet edhe të problematikave të higjienës. 35 zonja që shkojnë në një tualet, është banale që po e them, por ka ardhur momenti për ta thënë se nuk mban më. Nuk ka arkiva, në ambientet ku bëjmë mbledhje përdoret për arkivë. Muret janë plot me dosje, që nuk duhen mbajtur ashtu, por nuk kemi ku ti mbajmë”, tha Biba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë