Politike

Berisha: Atentati në Rinas u patronua nga shteti për llogari të bandave

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me atentatin e një dite më parë në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani “Sheqeri”.

Sipas Berishës ngjarja u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit.

“Ekzekutimi publik i djeshëm i Gilmando Danit, eksponent kryesor i organizatës kriminale të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e rëndë e Muçi Shaljanit apo Sheqerit, në pamje të parë shofer i drejtorit të shërbimeve inteligjente të Policisë së Shtetit dhe inspektor policie, por në fakt një bos, edhe ky bashkë me vëllanë e vet i krimit të organizuar dhe drogës, është një ngjarje e cila u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit”, tha Berisha.

Berisha tha se është alarmante që një ngjarje e tillë të ndodhë në një vend ku kryqëzohen në mbikëqyrje kaq shumë forca policore dhe speciale.

“Vendi i ekzekutimit publik të tyre, në protokollet e sigurisë publike është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër. Në atë zonë, përveç patrullës së policisë së rendit, është patrulla e policisë rrugore dhe po aty ngjitur është furgoni i FNSH-së, i instaluar aty që pas vjedhjes së shekullit të parave në aeroportin e Rinasit.

Është edhe një njësi, e cila rri aty në mbrojtje të sallonit të VIP-ave, kur kalojnë qeveritarët. Është gjithsej 100 metër nga rajoni i policisë së Rinasit, është pak metra nga dalja e sallonit të VIP-ave”, tha ai.

Duke pretenduar për lidhjet e atentatorëve me qeverinë dhe policinë, Berisha tha se pas ekzekutimit ata u larguan të qetë dhe përshkruan pa asnjë lloj telashi apo andralle të gjithë rrugën Rinas-Fushë Krujë.

“Fshati Halil është pranë Krujës, ngjitur me kalanë e Zgërdheshit. Dhe ata shkuan në Zgërdhesh dhe asnjë lloj përpjekje nuk u bë nga narkopolicia për të ndaluar vrasësit e Gilmando Danit dhe ata që plagosën rëndë Mustafa Shaljanin apo Sheqerin.”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë