Politike

Atentati në Rinas përplas Balliun dhe Vengun në Komisionin e Mbrojtjes

Nga Gazeta ‘Si’- Atentati i djeshëm i ndodhur në Rinas, me 1 të vrarë dhe 1 të plagosur rëndë, ka shkaktuar debat në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. 

Demokrati Klevis Balliu foli me tone të larta dhe kritika për sigurinë në vendin tonë.

Duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, Balliu i tha se qeveritarët shkojnë në Komisione veç për propagandë.

Ironikisht, ai tha se atentati ndodhi 10 minuta pasi një ditë më herët, në të njëjtin komision, ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi se Shqipëria është një vend i sigurt dhe se numri i vrasjeve është ulur.

Dje ishte një zonjë aty që na thoshte se Shqipëria është më e sigurt dhe mu në aeroport 10 minuta pasi u largua nga këtu bëhet atentati radhës mafioz. Tani po vini këtu për të bërë propagandë, për të bërë zhurmë dhe ne ju tregojmë dokumentat. Nëse një nga këto dokumentat nuk është i vërtetë unë tërhiqem”, tha Balliu drejtuar Vengut.

Ndërkohë, ky i fundit deklaroi në komision se buxheti për Mbrojtjen në vitin 2026 kap shifrën prej 58.9 miliardë lekësh, me një rritje prej 12% nga viti 2025, dhe për herë të parë arrin në 2.12% të PBB-së.

“Me një fond prej 16,3 miliardë lekësh, garantojmë që çdo njësi e Forcave të Armatosura të jetë në gatishmëri të plotë. Ky fond përfshin mirëmbajtjen e kapaciteteve në të gjithë spektrin e luftimit, misionet ndërkombëtare, trajnimin, nga helikopterët tek anijet, nga mbrojtja kibernetike, uniformat dhe municionet, deri te sigurimi i jetës së efektivëve dhe gatishmëria për çdo mision”, tha ministri.

Ai tha se janë dedikuar 4.3 miliardë lekë për emergjencat civile, afërsisht 8% të buxhetit.

“Një fond që përfshin 1 miliard lekë fond të kushtëzuar në mbështetje të njësive të vetëqeverisjes vendore, fond që do të donim të shpërndahej në mënyrë më të drejtë, sipas riskut dhe zonave më të prekura nga fatkeqësitë natyrore”, tha ai.

Duke folur për impaktin ekonomik që pritet të ketë rilindja e industrisë ushtarake që në vitin e parë, Vengu theksoi se, “përmes kompanisë shtetërore KAYO parashikohen 3,8 milionë euro të ardhura direkte, 8 milionë euro të ardhura indirekte dhe krijimi i 326 vendeve të reja pune”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë