Gazeta Si – Atentati me një viktimë dhe një të plagosur në Rinas, ndodhi thuajse dy orë pasi ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, kishte theksuar se Shqipëria është një vend i sigurt, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Çështjet e Brendshme në Kuvend.
Duke komentuar rastin e 28 tetorit, ku në pak orë brenda një dite ndodhën 3 vrasje me thikë, Koçiu u shpreh se këto ngjarje janë të pashmangshme, ku nuk implikohet puna e policisë.
Madje përdori ironinë kur tha se: “Për fat të keq janë ngjarje të pashmangshme nga puna që bën përditë Policia e Shtetit. Nuk besoj se ka ndonjë vend të botës për të parandaluar që djali të godasë babain me thikën e bukës, apo ndonjë vend të botës ku polici rri në kuzhinë për të ndaluar picierin të vrasë kuzhinierin. Janë ngjarje tragjike, por nuk implikohet puna e Policisë së Shtetit”, – tha Koçiu.
Por vetëm dy orë më pas, tamam në rrethrrotullimin e aeroportit të Rinasit, aty ku hyjnë dhe dalin qindra turistë të huaj dhe vendas, krimi goditi mjaft rëndë.
Nuk është krim në kuzhinën e shtëpisë, por krim gati mu në zonën e krimit të lartë e të rrezikshëm. U vra në atentat një njeri i dënuar për krime dhe u plagos një oficer policie i AMP-së, pikërisht i institucionit që mbikëqyr policinë.
Më dyshe tronditëse nuk mund të ketë, siç është tronditës fakti që të mos kesh asnjë dijeni për lëvizjet e Gilmando Danit dhe as dijeni se ai shoqërohet nga policia.
Ca më rëndë, kur ngjarja ndodh vetëm pak metra larg komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit. Një atentat kaq flagrant në afërsi të aeroportit, vendit më të sigurt dhe më të mbikëqyrur.
Shqipëria është vend i sigurt nëse do i referohemi përkufizimeve teorike të bazuara në statistika, por vrasje të tilla nuk janë çështje statistikash.
E kundërta, në këtë rast është më e vërtetë: shteti nuk kontrollon dot, por krimi ka kontroll absolut. Ndërsa ironia e ministres tingëllon në këtë sfond si një përqeshje e hidhur në skenën e madhe, ku krimi duartroket nga lozha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



