Politike

Berisha mbledh kryetarët e degëve: Rama arrestoi liderët e opozitës për të fituar zgjedhjet

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një mbledhje në selinë blu me kryetarët e degëve të kësaj force politike.

Në fjalën e tij, Berisha fillimisht u ndal në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Ai denoncoi situatën politike dhe shprehu shqetësime për procesin zgjedhor dhe përdorimin e resurseve shtetërore nga ana e Partisë Socialiste në pushtet, duke e konsideruar faktor për humbjen e zgjedhjeve nga opozita.

“Ne mblidhemi në këtë takim, në një situatë të paprecedentë, në 33 vite të pluralizmit politik në Shqipëri, në një situatë ku regjimi apo diktatura autoritare e instaluar shpalosi me gjithë shëmtinë e tij dhunimin masiv të votës së lirë të shqiptarëve, shpalosi me gjithë fuqinë e tij dhunimin në qindra e mijëra herë të ligjit elektoral shqiptar dhe ligjit ndërkombëtar të zgjedhjeve të drejta. Shpalosi përdorimin e të gjitha potencialeve të shtetit për të grabitur votën e shqiptarëve, por shpalosi hanxharët e të gjitha bandave kriminale aleate të qeverisë, për të mos lejuar shqiptarët të votojnë të lirë. Dëshmoi se, në mënyrë të programuar, të pandalshme dhe me çdo kusht e çdo çmim, ai do të qëndrojë në pushtet dhe se vota e shqiptarëve është diçka e pavlerë për të.”, tha Berisha.

Më tej, kryetari i PD-së tha se kryeministri Edi Rama arrestoi liderët e opozitës para zgjedhjeve, duke iu referuar kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Metës dhe vetes së tij, me qëllim për të fituar zgjedhjet.

“Ne vijmë në këtë takim pasi ju, anëtarë, por dhe mbështetësit e simpatizantët tanë, derdhët lumenj djerse, me ndershmëri e sakrifica, për një proces zgjedhor që vendi duhej të kishte. Me çfarë u përballën ata dhe ju? Ata u përballën, së pari, me një politikë terrori ndaj opozitës. Edi Rama, në traditën e babait të tij xhelat, në një vit elektoral, arrestoi si persona nën hetim, pa asnjë fakt penal, liderët e dy partive opozitare dhe vuri në ndjekje penale të tretin. Akt të tillë e ka bërë identik Saied–i Tunizisë, i cili në vit elektoral arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të fituar në zgjedhje për aq sa deshi.”, shtoi Berisha.

Ai shtoi se ndërhyrjet në zgjedhje përfshinin sipas tij shpërblime financiare për pensionistët, falje gjobash, rritje të subvencioneve dhe punësime të përkohshme.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatuan se, në periudhën e ndaluar me ligj, Edi Rama dhe ministrat e tij organizuan 2 mijë e 500 ngjarje e aktivitete, kombëtare e ndërkombëtare, për të ndikuar tek zgjedhësit dhe vota, të gjitha këto me buxhetin e qytetarëve shqiptarë. Në zgjedhje u përdorën të gjitha burimet dhe potencialet, tashmë të certifikuara e të vërtetuara: shpërblimi apo dhurata prej 200 eurosh për pensionistët, falja e gjobave dhe kamatave prej 200 e sa milionë euro, rritja me 8 herë e subvencioneve për fshatin, punësime të përkohshme në dhjetëra e dhjetëra raste.

Ju jeni dëshmitarë që Policia e Patronazhistëve, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, u vërsul me egërsi kundër për të kontrolluar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Të gjitha këto dëshmojnë se zgjedhjet ishin një farsë.”, vazhdoi Berisha.

Sipas tij, të gjitha këto bënë që vëzhguesit ndërkombëtarë të qëndrojnë “me ndershmëri, me integritet në anën e zgjedhësve shqiptarë” duke i denoncuar këto në raportin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë