Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi e ka quajtur akt censure përjashtimin e Sali Berishës me 10 ditë nga punimet e Kuvendit pas sulmit ndaj ambasadorit Silvio Gonzato.
Sipas Bardhit, Berisha u përjashtua nga Kuvendi pa kryer asnjë shkelje.
Bardhi shprehet se përjashtimi i tij është bërë vetëm sepse “ka shprehur lirisht, jashtë sallës së Kuvendit, mendimin e tij mbi një projektligj të kundërshtuar nga pjesa dërrmuese e shoqërisë”.
Sipas tij, ky vendim nuk është thjesht antikushtetues, por është dëshmi e qartë se deputetët e mazhorancës nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve, por vetëm interesave politike të Edi Ramës.
“Kjo është hera e parë në historinë e pluralizimit në vend, ku një deputet, pa kryer asnjë shkelje të Rregullores, pengohet të ushtrojë funksionin e tij, me vendim politik të mazhorancës, vetëm se ka shprehur lirisht, jashtë sallës së Kuvendit, mendimin e tij mbi një projektligj të kundërshtuar me forcë nga pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare”, shkruan Bardhi.
Kujtojmë se kërkesa e socialistëve për përjashtimin e Berishës nga Kuvendi erdhi pas kritikave që Sali Berisha drejtoi ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore, ku e akuzoi diplomatin se “po imponon bindjet e tij personale” në debatin parlamentar.
Përfaqësues të mazhorancës argumentuan se deklaratat publike të tij ishin fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj diplomatit evropian, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të tij, por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



