Gazeta Si – Janë 13 kandidatë në garë për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, ku në 5 bashki të vendit do të votohet për kryetarët e rinj.
Në Vlorë, gara është mes Bruna Mersinit të PS, Dionis Sotës që mbështetet nga PD dhe Gjergj Nikës, “rebelit” të pavarur që doli po nga radhët e demokratëve, por nuk mbështet prej tyre. Në këtë bashki janë thirrur për të votuar 171 895 qytetarë.
3 kandidatë edhe në Cërrik e Mat. Florenc Doka i PS, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut garon përballë dy emrave nga opozita.
Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet. 38 724 është numri i qytetarëve me të drejtë vote.
Në Mat demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë.
Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur. Numri i votuesve shkon në 29 092 qytetarë.
Në Berat, gara është mes Ervin Ceca dhe Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar. Kjo bashki, numëron 82 161 zgjedhës.
Përballë ish kreut të Gardës Gramoz Sakos, në Tepelenë kandidon i mbështeturi nga Partia Demokratike Gabriel Guma. Aty, kanë të drejtë vote 12 667 votues.
Të pesta bashkitë që i drejtohen zgjedhjeve të 9 nëntorit janë fituar nga socialistët në zgjedhjet e kaluara lokale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



