Politike

Mbyllet votimi në 5 bashkitë, pjesëmarrja më e ulët në histori. Vlora, ‘rekord’ negativ

Gazeta Si – Qendrat e votimit janë mbyllur zyrtarisht këtë të diel në orën 18:00 në Bashkitë e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Matit e Cërrikut, ku në garë ishin 13 kandidatë nga Partia Socialiste dhe të pavarur që u mbështetën nga opozita për zgjedhjet e pjesshme lokale.

Deri në këtë orë, sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 18.72 %, ku në Vlorë, pjesëmarrja ishte në nivel më të ulëta ndonjëherë, duke arritur një “rekord” negativ. Menjëherë pas përfundimit të votimit, ka nisur edhe transporti i kutive në qendrat e numërimit.

Pikërisht Qarku i Vlorës, rezulton ai me numrin më të ulët të votuesve në krahasim me 4 bashkitë e tjera, me afro 13%. Ndërkohë pjesëmarrje më të lartë ka pasur Mati, me afro 40%.

Pjesëmarrja sipas bashkive përkatëse

Bashkia Vlorë: 12.54%

Bashkia Berat: 19.98%

Bashkia Cërrik: 25%

Bashkia Mat: 39.36%

Bashkia Tepelenë: 34.63%

Qytetarët iu drejtuan kutive të votimit që prej orës 07:00 të mëngjesit deri në orën 18:00 kur u mbyll zyrtarisht procesi i votimit.

Nga 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote, sipas të dhënave të KQZ deri në orën 18:00 kur janë raportuar 352 QV nga 472, vetëm 46 696 qytetarë ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, ose 18.72% e zgjedhësve.

Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mati me 39.36%, dhe bashkia me numrin më të ulët të pjesëmarrjes ishte Vlora me 12.54% Në 3 bashkitë e tjera u raportua kjo pjesëmarrje, Tepelena 34.63%, Cërriku 25%, Berati 19.98%.

Për herë të parë, KQZ ka pasqyruar edhe të dhënat e grupmoshës, ku vihet re se më të interesuarit për të marrë pjesë në votim ishim grupmosha plus 65 vjeç. Interesi i të rinjve ishte shumë i ulët.

Në Mat, deputetja e PD, Denisa Vata hodhi akuza se po intimidoheshin zgjedhësit, por kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se u bënë të gjitha verifikimet dhe ka rezultuar se nuk ka pasur as pretendime nga partitë për shkelje.

Edhe në Cërrik, Policia e Shtetit përgënjeshtroi pretendimet e kandidatit të Shqipëria Bëhet, Eligert Hima se po intimidohen zgjedhësit.

Për herë të parë, në Bashkinë e Tepelenës, do të aplikohet si test inteligjenca artificiale në numërimin e votave. Rezultati do të transmetohet online dhe do të ballafaqohet me numërimin manual të komisionerëve.

Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

Procesi do të monitorohet nga vëzhgues të organizatave vendase dhe ndërkombëtare. Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave, i cili, sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, mund të publikohet zyrtarisht të hënën në 10 nëntor rreth orarit të pasdites.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë