Politike

Buxheti 2026/ Rama: 1 mld € për Shëndetësinë dhe projekt kombëtar në luftën kundër kancerit

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama, prezantoi këtë të shtunë pikat kyçe të projekt-buxhetit 2026 për sektorin e Shëndetësisë.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se “lufta kundër kancerit dhe shëndetësia në Projekt-Buxhetin 2026, do jenë një kapitull i ri angazhimesh në respekt të 83 mandateve që na janë besuar, si një detyrim madhor i PS-së”.

Rama thekson se një pjesë e buxhetit të vitit 2026 është në vlerën e mbi 1 miliard eurove për Shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, duke u përllogaritur si afro 4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.

“Për herë të parë, hapim një linjë financimi nga Buxheti i Shtetit vetëm për këtë nevojë jetike duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Për herë të parë shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin, do të jepet i plotë për të gjitha dhe falas., – premtoi kryeministri. – Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë e shpallur së fundmi ndër 100 gratë më influente në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit, do të udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve për Shqipërinë 2030. Një institucion i ri ekselence, i cili do t’i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin”, tha Rama.

Sipas Ramës, 4 mijë e 600 mjekë, infermierë dhe farmacistë si dhe 14 mijë 200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash.

“Është mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardhave se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet. Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu”, tha kreu i qeverisë.

Po ashtu theksoi se do të vijojnë investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore në mënyrë që asnjë prej tyre të mos jetë jashtë standardeve të BE-së deri në vitin 2030.

Vitin e ardhshëm paralajmëroi edhe hyrjen e Inteligjencës Artificiale në shërbimin shëndetësor shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë