Gazeta Si – Sot nis zyrtarisht heshtja zgjedhore, ndërsa të dielën 334.539 qytetarë në pesë bashki të vendit do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Procesi do të zhvillohet në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë të gjitha materialet zgjedhore, ndërsa Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e procesit.
Aktualisht, policia ka marrë në ruajtje 9 objekte ku ndodhen KZAZ-të dhe të shtunën do të sigurojë 473 qendra votimi.
Në total, 612 efektivë policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe shoqërimin e materialeve zgjedhore.
Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që synon të cënojë integritetin e votës së tyre.
Kjo fushatë është konsideruar ndër më të qetat dhe më pak tipiket e viteve të fundit, pasi kandidatët kanë zhvilluar aktivitetet e tyre pa protagonizëm politik, ndërsa liderët e partive kryesore, Edi Rama dhe Sali Berisha, nuk janë shfaqur në asnjë takim elektoral.
Në Vlorë, me rreth 172 mijë votues, garojnë Brunilda Mersini e PS-së, Dionis Sota i mbështetur nga PD, dhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak nën siglën e Partisë Demokratike.
Në Berat, kandidati socialist është Ervin Ceca, përballë të pavarurit Pavlo Shkarpa.
Në Mat, gara do të zhvillohet mes socialistit Altin Bojni, ish-kryetares së Gruas Socialiste Suzana Pasha — që garon si e pavarur — dhe Eduart Brahilikës, gjithashtu i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati i PS-së Florenc Doka do të përballet me të pavarurin Amarildo Hoxha, i mbështetur nga PD e Berishës, si dhe me Eligert Himën nga partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Në Tepelenë, PS garon me Gramoz Sakon, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Këto zgjedhje do të prodhojnë kryebashkiakë me mandat të përkohshëm, vetëm një vit e gjysmë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve vendore të pranverës 2027.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



