Nga Gazeta ‘SI’ – Në pritje të miratimit, kryeministri Edi Rama ka komentuar draftin e “Paqes Fiskale”, duke e quajtur si mjet për krijimin e një marrëdhënie të re midis shtetit dhe sipërmarrjes.
Rama sqaroi se paketa e Paqes do të mbyllë çështjet e vjetra dhe do të fshijë detyrimet e prapambetura, prej 10 vitesh. Po ashtu do të fshihen 50% e detyrimeve në të njëjtën periudhë, nëse shumat paguhen njëherësh brenda një afati të caktuar dhe 25% nëse paguhen me këste për një vit.
“Dua t’u kujtoj atyre që thonin: ‘Hajt se premtoni për vota dhe pastaj harroni’. Ja ku jemi, nuk kemi zgjedhje përpara dhe ne nuk premtojmë thjesht për vota dhe nuk harrojmë, por ato 83 mandate na kanë vënë në pozita pune si kurrë më parë dhe e konsideroj si minimumin moral. Paqja fiskale është tanimë një paketë e shkruar, e konceptuar për të forcuar bashkëpunimin mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes dhe anasjelltas. Dhe do të mbyllim çështjet e vjetra.
Por si do të mbyllen çështjet e vjetra? Procesi do të realizohet në dy forma kryesore. Së pari, falje për të gjitha detyrimet e prapambetura, që i përkasin periudhave më të hershme se 10 vite të regjistruara në detyrimet tatimore. Fshirje 50% e detyrimeve për periudhat 5-10 vite nëse shuma e mbetur paguhet njëherësh brenda një afati të përcaktuar së bashku me fshirjen e gjobave dhe të interesave. Fshirje 25% të detyrimeve për të njëjtën periudhë 5-10 nëse shuma paguhen me këste brenda 1 viti së bashku me fshirje të gjobave dhe interesave. Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 1-5 vite me kusht që të paguhet i plotë, tatimi, tarifa ose kontributi i të njëjtës periudhë.”, tha kryeministri.
Më tej, Rama tha se do t’i jepet mundësia të gjithë sipërmarrjeve të korrigjojnë pasaktësitë në deklarimet e mëparshme në pasqyrat financiare. Për ndryshime mes deklarimit të vjetër dhe të rritur, do të paguhet vetëm 5% tatim mbi fitimin.
“Për një periudhë që mund të shtrihet deri në 3 vite, sipërmarrjet mund të lidhin marrëveshje vullnetare me administratën tatimore ku të pranojnë ë rrisin me 18% tatimi ne fitueshëm krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për cdo shtesë mbi këtë fitim tatimi do të jetë vetëm 5%. Gjatë kohës që është në fuqi marrëveshja e paqes fiskale, sipërmarrjet nuk do ti nënshtrohen kontrolleve tatimore që lidhen me tatimin mbi fitimin. Është një paqe që do të diskutohet në Kuvend dhe jo një paqe thjesht e propozuar thjeshte në program elektoral”, përfundoi kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



