Shendet

Më shumë se 30% e 8-vjeçarëve në Shqipëri janë mbipeshë

Nga Gazeta Si- Mbi 30 për qind e 8-vjeçarëve në Shqipëri janë mbipeshë sipas raportit të fundit të publikuar nga OBSH.

Në raport, ku përfshihen djemtë dhe vajzat e moshës 8 vjeçare, shkruhet se rreth 15 për qind e tyre janë obezë, ku djemtë kanë përqindjen më të lartë të obezitetit.

Italia dhe Greqia kishin shifra më të larta, ku rreth 40 për qind e 7 vjeçarëve ishin mbipeshë në Itali dhe rreth 40 për qind e 8 vjeçarëve ishin mbipeshë në Greqi.

Ndërkohë, Maqedonia e veriut, Mali i Zi dhe Serbia kishin shifra të barabarta me vendin tonë.

Niveli i arsimit është një nga variablat e përdorura në studim për të vlerësuar statusin socioekonomik të familjes.

Prevalenca e mbipeshës ishte dukshëm më e lartë tek fëmijët, prindërit e të cilëve kishin një nivel të ulët deri në të mesëm arsimimi në krahasim me fëmijët prindërit e të cilëve ishin me arsim të lartë. Diferenca më e madhe në prevalencë midis fëmijëve me prindër me arsim të ulët deri në të mesëm dhe atyre me një nivel të lartë arsimimi ishte 16 pikë për qindjeje në Gjermani. Një marrëdhënie e anasjelltë u vu re në katër vende – Azerbajxhan, Kirgistan, San Marino dhe Turqi – ku prevalenca e mbipeshës ishte dukshëm më e lartë tek fëmijët e prindërve me një nivel të lartë arsimimi.

Ndërsa në Shqipër, nuk kishte një diferencë domethënëse.

Në përgjithësi, 25% e fëmijëve të moshës 7-9 vjeç jetojnë me mbipeshë (përfshirë obezitetin) dhe 11% me obezitet në Europë. Dallime të mëdha vazhdojnë në prevalencë midis vendeve, me prevalencën e mbipeshës që varion nga 9-42% dhe prevalencën e obezitetit që varion nga 3-20%.

Në vetëm 15 nga 37 vendet prevalenca ishte nën 10% , me fjalë të tjera, në shumicën e vendeve, më shumë se një në 10 fëmijë dhe pothuajse një në pesë në disa vende të Europës Jugore, jetojnë me obezitet.

Prevalenca e obezitetit ishte më e lartë tek djemtë sesa tek vajzat në shumicën e vendeve.

“Këto gjetje nxjerrin në pah se obeziteti i fëmijërisë vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz publik për Rajonin dhe nënvizojnë se nevojitet urgjentisht një veprim gjithëpërfshirës politik në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal”, shkruhet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë