Politike

Raporti i KLSH/ Tabaku: Buxheti ‘han pa porta’! Ekonomi: Kontrolli financiar mbetet sfidë

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja Jorida Tabaku denoncoi sot në Kuvend “sistemin e korruptuar dhe të pandershëm” që po abuzon me financat publike dhe po mban peng zhvillimin e vendit.

Duke u bazuar në raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Tabaku foli për keqmenaxhimin e burimeve shtetërore, me fokus të veçantë te Partneritetet Publike-Private (PPP).

Në fillim të fjalës së saj, deputetja theksoi rëndësinë kritike të pavarësisë së institucioneve si KLSH, duke dënuar sulmet politike ndaj tyre.

“Është shumë e rëndësishme që ne ta ruajmë pavarësinë e institucionit. Ajo që ndodhi vitin e shkuar shkeli një vizë të kuqe jo vetëm ligjore, por edhe në pavarësinë e këtij institucioni,” deklaroi ajo, duke shtuar se pushteti tenton gjithmonë të kontrollojë edhe institucionet e pavarura.

Duke iu referuar gjetjeve të KLSH-së, Tabaku vuri në dukje se problemet me prokurimet, koncesionet dhe sigurinë ushqimore përsëriten vit pas viti pa asnjë reflektim apo masë nga ana e qeverisë.

Tabaku denoncoi kostot e lartë të PPP-ve.

“Në harkun kohor të shtatë viteve, 2017-2024, taksat e qytetarëve shqiptarë kanë paguar 840 milionë euro për partneritetet publike-private,” tha Tabaku.

Ajo shtoi se nga 12 kontrata koncensionare, gjashtë prej tyre janë aktualisht nën hetim për një vlerë prej rreth 650 milionë eurosh. Këto shifra, janë në kontrast të thellë me realitetin e vështirë ekonomik të familjeve shqiptare, ku 55% e tyre mezi e mbyllin muajin.

Sipas saj, buxheti i shtetit është kthyer në një “han pa porta”, ku planifikimi nuk ka vlerë dhe ndryshimet bëhen me akte normative sipas “oreksit të ministrave”.

Në një linjë me Tabakun, por me gjuhë më të butë foli edhe deputetja e Partisë Socialiste Milva Ekonomi, e cila theksoi nevojën për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe buxhetor.

Ajo kërkoi një platformë më të gjerë konsultimi dhe ndjekjeje për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.

“Unë besoj që në leximin me kujdes të raportit të KLSH-së, tre gjëra janë të rëndësishme për të parë punën në ardhmërinë e vet. Së pari, menaxhimi financiar dhe buxhetor mbetet një sfidë. Në raportin e KLSH-së ka ende institucione që duhet të forcojnë shumë kontrollin e tyre të brendshëm financiar dhe menaxherial, që është një nga kërkesat themelore të Financave Publike, që na vjen edhe nga grupi i parë i rekomandimeve të BE-së për hapjen e negociatave.

Nuk mjafton që fondet të jenë planifikuar mirë, por të përdoren me integritet, efikasitet dhe llogaridhënie. Në raportin e BE-së të vitit 2025, ai që doli tani, ka një kapitull të veçantë për kontrollin financiar, ku thuhet se rekomandimet në raportet e KLSH-së, një pjesë janë marrë parasysh dhe 61% e këtyre rekomandimeve janë zbatuar plotësisht. Kjo tregon se mënyra si hartohen raportet e KLSH-së ka nevojë për një platformë më të gjerë konsultimi me institucionet që ai kontrollon dhe nxjerr rekomandime”, tha Ekonomi.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, raportoi sot në Kuvend për rezultatet e auditimeve të kryera gjatë vitit 2025 mbi përdorimin e fondeve publike në institucionet shtetërore.

Sipas Shehut, gjatë vitit janë zhvilluar auditime në 205 subjekte, mes tyre 97 njësi qendrore dhe 75 njësi vendore. Nga kontrollet janë evidentuar shkelje në procedurat e prokurimeve publike, si dhe parregullsi në zbatimin e kontratave, veçanërisht në nivelin vendor.

Ai theksoi se janë konstatuar raste të kufizimit të konkurrencës, vonesa në zbatimin e kontratave dhe kryerje pagesash shtesë, çka tregon nevojën për përmirësimin e mekanizmave të kontrollit dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë