Shendet

Ministrja e shëndetësisë pranon problematikat e Onkologjikut: Çdo pacient do trajtohet me protokollet e duhura

Nga Gazeta Si- Ministrja e shëndetësisë Evis Sala ka pranuar në kuvend problematikat që lidhen me Onkologjikun, ku jo pak herë ka pasur denoncime për mungesë ilaçesh dhe mostrajtim të pacientëve.

Në fjalën e saj, ministrja Sala tha se “sfidat ekzistojnë dhe jemi duke vepruar”, duke shtuar edhe se sipas saj, problemet nuk zgjidhen me retorikë politike.

Ministrja tha se FSDKSH ka aprovuar rialokimin e një fondi prej 200 milion lekë, për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjenteve me barna onkologjike në QSUNT.

Duke dhënë një premtin për pacientët, ministrja shtoi se “çdo pacient që vuan nga sëmundje onkologjike do të trajtohet me trajtimin e duhur dhe me protokollet bashkëkohore”.

Gjetjet e KLSH-së treguan këtë vit se gati gjysma e ilaçeve që luftojnë sëmundjet tumorale, nuk kanë mbërritur te pacientët shqiptarë.

Nga ana tjetër, janë shënuar 49 raste vonesash të pajustifikuara barnash nga importuesit farmaceutikë, edhe pse shumë pacientë ishin në pritje të këtyre medikamenteve, dhe autoritetet kanë marr masa ndëshkimore vetëm për 2 prej tyre.

“Bazuar në të dhënat e vëna në dispozicion nga Sektori i Shpërndarjes mbi importin e barnave, rezulton se nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë, 116 prej tyre ose në masën 46%, nuk janë importuar në asnjë rast gjatë periudhës së auditimit janar 2021-mars 2025. Kjo situatë mbart risqe potenciale mbi efikasitetin e mekanizmave ekzistues”, thuhet më tej.

Audituesit shtetëror vlerësojnë në tre vite nga 2022-2025, se mungesa e barnave e kombinuar me mangësitë në shpërndarje në shërbimet spitalore, krijon një situatë me risk të lartë për sistemin shëndetësor dhe për pacientët që marrin trajtim në këto struktura.

Gjithashtu është konstatuar edhe mbajtja e stoqeve të skaduara, duke rritur artificialisht gjendjen e barnave në sistem. Problematikë mbetet dhe prodhimi I barnave pa analiza laboratorike.

Gjatë monitorimit, KLSH raporton raste të pritjes së gjatë për të kryer kimioterapi dhe detyrimit të pacientëve për tu kuruar jashtë Shqipërisë duke ju mohuar e drejta kushtetuese e kujdesit shëndetësor në vendlindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë