Nga Gazeta ‘Si’- Pas minutës së heshtjes për liderin historik të socialistëve, Fatos Nano, seanca plenare kaloi menjëherë në rendin e ditës, ku pritet të diskutohet edhe projektbuxheti mes të tjerash.
Kreu i grupit parlamentar të PS, taulant Balla, ftoi kolegët opozitarë që bashkë me kalendarin e punimeve të votonin edhe për kalimin e projektbuxhetit, duke theksuar se sipas tij mazhoranca mbajti fjalën ndaj pensionistëve, punonjësve të administratës dhe të sektorit privat.
“Ne e mbajtëm fjalën, po paraqesim buxhetin më të madh në histori. E mbajtëm fjalën edhe për pensionistët dhe jo si i latë ju në 2013.
Rritje pensionesh dhe indeksim për pensionistët, rritje muaj për muaj. Nga 1 janari 2026 falë këtij buxheti rritet rroga minimale në 500 euro. Jo vetëm pensionistët do marrin 100 mln euro, por do dyfishohet dhe me radhë nga viti në vit dhe totali për ta me mbështetje buxhetore shkon në 1.7 mld euro. Përsa i përket pagave gjithashtu ka ndihmë në sektorin privat dhe shtetëror. Madje edhe për policët dhe Gardën, që u kërkoj falje efektivëve, do të ndodhë rritja e pagave edhe për ta”, tha Balla mes të tjerash.
Më tej ai ftoi opozitën që të votonte projektbuxhetin brenda afateve, që të mos linin në pritje punonjësit dhe pensionistët apo t’i privonin nga rritja e pagave dhe pensioneve.
“Ndaj ta kalojmë këtë buxhet që lexoi edhe ministri i Financave dje në Konferencën e Kryetarëve, kemi afat deri më 15 dhjetor. Koha është e mjaftueshme, ndaj ju ftoj ta kalojmë, të votojmë kalendarin dhe buxhetin sepse duke votuar për ta, votoni për të gjithë ata që presin rritjen e pagave dhe pensioneve”, u shpreh deputeti socialist nga foltorja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



