Nga Gazeta ‘Si’- Çështja e fundit që trajtoi kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme me grupin parlamentar, ishte ajo e ligjit të barazisë gjinore, që mazhoranca pritet ta kalojë me forcën e kartonëve në Parlament seancën e nesërme (6 nëntor).
Kreu i selisë blu akuzoi socialistët dhe kryeministrin Edi Rama se sipas tij po kërkojnë të shkatërrojnë familjen tradicionale shqiptare me ligjin post-marksist të Xhorxh Sorrosit dhe tha se ata do votonin kundër në seancë.
Madje ai paralajmëroi se nëse do të vijnë në pushtet, PD do e rrëzojë menjëherë dhe do e abrogojë, pasi ky është një ligj që kërkon patjetër referendum.
“Në fund do flas për çështjen tjetër të rëndësishme, ligji për barazinë ligjore. Nuk do e votojmë atë ligj, kërkon të shkatërrojë familjen. Këta kanë marrë doktrinën post-marksiste të Xhorxh Sorrosit. Duan të zëvendësojnë familjen tradicionale shqiptare, duan t’i imponohen me ligj shqiptarëve, pas qëndron Edi Rama. Ne nuk do e votojmë atë ligj, madje edhe komunitetet fetare janë kundër këtij ligji. Ta kenë të qartë, se ne nuk e votojmë këtë ligj, morali njerëzor është i bazuar në parimet e librave të shenjtë, ne i qëndrojmë atyre”, tha Berisha.
Lideri i opozitës kujtoi gjithashtu se edhe liderët e komuniteteve fetare ishin të gjithë kundër këtij ligji, por mazhoranca pasi i dëgjoi, bëri të kundërtën, duke e kaluar fshehurazi.
“Edhe ne kemi kaluar ligj, por lexojeni, kanë qenë të gjitha komunitetet fetare dakord. Ne nuk merremi me orientimin seksual, jo. Por ligj që ta kundërshtojnë komunitetet fetare dhe ta votojmë, jo, ne i respektojmë dhe i dëgjojmë ata. E kanë kundërshtuar të gjitha komunitetet fetare. Ne nuk bëjmë eksperimente, ndaj do jemi të përgatitur. Të mbrojmë barazinë gjinore, të vërtetën, nuk jemi kurrë për diskriminimin e familjes”, tha ai.
Dhe në fund ai paralajmëroi se ky ligj kalohet vetëm me referendum popullor dhe jo me votë në Parlament, ndërsa theksoi se PD kur të vijë në pushtet do e rrëzojë nëse mazhoranca e sotme e kalon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



