Shendet

Qendrave shëndetësore në Shqipëri u mungojnë pajisjet mjekësore të domosdoshme

Nga Gazeta Si- Pajisjet mjekësore të domosdoshme mungojnë në qendrat shëndetësore në Shqipëri. Në këtë përfundim ka arritur Inspektoriati shtetëror shëndetësor në inspektimet e vitit 2024.

Gjatë këtij viti, trupat inspektuese kryen 3 003 inspektime dhe ri-inspektime dhe mangësitë specifike të konstatuara në subjektet e kujdesit shëndetësor parësor jo-publik (klinika/qendra/laboratorë mjekësorë) ishin mungesa e një ambienti të veçantë për marrjen e gjakut dhe mungesa e lejes së ushtrimit të profesionit.

Ndërkohë, subjektet e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe jo-publik kanë mungesa edhe më të mëdha, ku janë  konstatuar mungesa të pajisjeve mjekësore që janë të domosdoshme.

Gjithashtu, në qendrat shëndetësore nuk ka as ambiente për ofrimin e shërbimit si dhe mungojnë kontenitorët dhe kontratat për evadimin e mbetjeve spitalore.

Në qendrat e inspektuara është vërejtur amortizim i ndërtesës fizike (mungesë e lyerjes së ambienteve, amortizim i nyjeve hidro-sanitare, prani e lagështirës, prani papastërtish, etj.) si dhe amortizim i ndërtesës fizike.

ISHSH shkruan në raport se në qendrat shëndetësore ka edhe mangësi në dokumentacionin shëndetësor dhe higjieno-sanitar.

“Ka mungesë të akt-miratimit Higjieno-sanitar dhe nuk kryhet shërbimi DDD në ambientet e jashtme e të brendshme”, thuhet në raport.

Shërbimi DDD përfshin dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë