Politike

Rama: Negociatat mund të mbyllen brenda 2027

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si “një gotë gjysmë e mbushur” raportin e progresit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Rama tha se sipas tij Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat me BE deri në vitin 2027.

Në një prononcim pas dorëzimit të raportit nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Rama tha se dokumenti konfirmon ecurinë pozitive të vendit, por edhe sfidat që duhet të adresohen në mënyrë cilësore.

“Në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Raporti është një gotë e mbushur përgjysmë. Ne do të marrim energjinë nga gjysma plot për t’u përqendruar te gjysma bosh, që brenda vitit 2027 ta mbyllim procesin”, deklaroi Rama. “Që raporti i atij viti të shkruajë: Rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

“Shqipëria, në pararojë të rajonit”

Sipas Ramës, Shqipëria ndodhet në pararojë të procesit të integrimit, krahas Malit të Zi, duke u bërë “shembulli pozitiv i rajonit”.

Ai kujtoi se vendi ka arritur në “kohë rekord” hapjen e pesë grupe-kapitujve negociues dhe se pritet të mbyllë vitin me hapjen e të gjithë kapitujve.

“Kjo ka ardhur si rezultat i një përgatitjeje të gjatë. Gjatë viteve që i quaj ‘vitet e poshtërimit’, kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave dhe disa vende e pengonin, ne punuam sikur negociatat të ishin hapur. Prandaj sot grupi ynë negociator ka shkëlqyer”, u shpreh Rama.

Teknologjia në shërbim të integrimit

Një element që Rama veçoi në fjalën e tij ishte përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

“Jemi i vetmi vend në rajon që përdor AI në këtë proces dhe falë ministres ‘Diella’ realizojmë transferimin e adaptimit të trupit ligjor të BE-së me përpikmëri, duke përmbushur objektivat e kalendarit të përbashkët”, theksoi ai.

Rama u ndal edhe te faza që parapriu hapjen formale të negociatave, duke e quajtur “periudhën më të vështirë, por më të vlefshme të përgatitjes”.

“Në ato vite kur BE vononte vendimin, ne nuk humbëm kohë. Përkundrazi, u stërvitëm për ditën kur procesi të hapej. Kjo na dha një avantazh që sot e ndjen i gjithë ekipi negociator”, shtoi ai.

Raporti i progresit, i dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi i BE-së në Tiranë, vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në fushat e reformës në drejtësi, administratës publike dhe përafrimit ligjor, por nënvizon se duhen përforcuar standardet në sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.

Në fund të fjalës së tij, Rama theksoi se objektivi mbetet i pandryshuar: që në raportin e vitit 2027 Komisioni Evropian të rekomandojë zyrtarisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë