Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, dorëzoi zyrtarisht progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gonzato theksoi se pesë nga gjashtë grupkapitujt e negociatave janë tashmë të hapur, duke e cilësuar këtë si një arritje me “shpejtësi të jashtëzakonshme”.
“Po hyjmë në një fazë vendimtare, për t’u përafruar me legjislacionin e BE-së”, deklaroi Gonzato duke theksuar se janë përmbushur 21 reforma rrënjësore nga ana e vendit tonë.
Ambasadori nënvizoi se Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat dhe të përmbushë piketat ndërmjetëse, të cilat, sipas tij, janë thelbësore për vijimin e procesit të anëtarësimit.
Ai tha se tanimë duhet vëmendje te piketat e ndërmjetme, që çdo vend aspirant duhet të plotësojë.
“Pa përmbushjen e tyre, nuk mund të mbyllet as provizorisht asnjë kapitull tjetër. Raporti është faktik dhe gjithëpërfshirës, shpresojmë që të lexohet dhe vlerësohet sepse jep meritën aty ku duhet dhe thekson fushat ku ka ngecje”, shtoi Gonzato.
Në vijim, ambasadori theksoi se gjetjet e raportit nuk duhet të jenë surprizë, pasi raporti për vitin 2025 është pozitiv dhe inkurajues.
“Raporti vlerëson nivelin e ambicies për të ecur me negociatat dhe thekson se Shqipëria ka arritur të jetë në përputhje të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian,” deklaroi Gonzato, duke e cilësuar këtë si “një sinjal të fortë të besueshmërisë së Shqipërisë si partnere evropiane”.
Ai përshëndeti krijimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e procesit zgjedhor. Sipas tij, zgjedhjet e fundit ishin konkurruese, por raporti evidenton se u abuzua me burime publike, gjë që ndikoi në barazinë e garës.
Ambasadori vlerësoi gjithashtu rezultatet pozitive në reformën në drejtësi, duke theksuar se është forcuar pavarësia dhe llogaridhënia e institucioneve të sistemit të drejtësisë.
“Krijimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore do të çojë drejt një reforme të re dhe më të balancuar, ndërsa zbatimi i reformës në drejtësi ka sjellë rezultate të prekshme dhe është një nga historitë e suksesit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”, përfundoi Gonzato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



