Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, gjatë prezantimit të progres-raportit për vendet kandidate, ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet me përparimin më të dukshëm në procesin e integrimit evropian.
“Shqipëria ka arritur një progres të admirueshëm që nga konferenca e parë qeveritare, të tjerë grupkapituj janë hapur gjatë këtij viti dhe në nëntor hapet grupkapitulli i fundit. Shqipëria po bën progres në grupkapitullin e themeloreve dhe besoj do ta mbyllin deri në fund të këtij vitit.”, tha Kos për Shqipërinë.
Ndërsa sa i përket Malit të Zi, tha se është “vendi më i realizuar” në këtë drejtim, por “mbeten ende përpara disa reforma për t’u realizuar”.
Gjatë fjalës së saj, Kos komentoi edhe situatën në vendet e tjera kandidate në Ballkan dhe më gjerë.
Ajo vuri në dukje se në Serbi reformat janë ngadalësuar ndjeshëm, veçanërisht në çështjet themelore si drejtësia, liria e medias dhe të drejtën për shprehje.
“Serbia ka arritur vetëm 62% të kritereve të BE-së. Duhet të punojë më shumë dhe të eliminojë retorikën kundër shteteve anëtare”, theksoi Kos.
Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, komisionerja nënvizoi se vendi ka pasur një periudhë të vështirë, dhe reformat ekonomike janë ngadalësuar për shkak të zhvillimeve në Republikën Serbe.
Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë treguar përkushtim në zbatimin e reformave, Turqia vazhdon të punojë për të forcuar të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin rajonal.
Në anën tjetër, Gjeorgjia, sipas Komisioneres, ka regjistruar një ngadalësim të dukshëm në përmbushjen e lirive themelore dhe reformave ligjore.
“Në Gjeorgji, situata është bllokuar së fundmi, me një situatë bllokimi. Ne kemi pasur kthim prapa sa i përket lirive themelore dhe autoriteteve ligjore. Gjeorgjia është vend kandidat vetëm në emër, pasi s’ka realizuar asgjë.”, tha Kos.
Marta Kos përfundoi duke theksuar se procesi i zgjerimit të BE-së mund të arrijë sukses vetëm nëse reformat zbatohen me cilësi të lartë dhe në përputhje me standardet demokratike.
“Procesi i zgjerimit mund të arrijë sukses vetëm nëse arrijmë cilësinë e duhur të reformave.”, shtoi ajo.
Kos shprehu optimizëm për perspektivën e ardhshme të rajonit, duke theksuar mundësinë e përgatitjes së një traktati të zgjerimit nëse Mali i Zi vazhdon progresin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



