Nga Gazeta ‘Si’– BE ka publikuar progres raportin për Shqipërinë për vitin 2025, ku thekson hapat e ndërmarra në procesin e negociatave nga vendi ynë.
Në raport, thuhet se Shqipëria ka ruajtur angazhimin e fortë politik ndaj objektivit strategjik të integrimit edhe përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe sigurisë me Unionin. Ky qëndrim i Shqipërisë, thotë BE, një sinjal të fortë si partner i besueshëm.
Sa i përket demokracisë dhe reformimit zgjedhor, raporti i vlerëson zgjedhjet e 11 majit si konkurruese dhe të organizuara profesionalisht, por thekson se ka pasur mangësi, përfshirë mungesën e kushteve të barabarta dhe abuzimin me burimet publike, duke shtuar se është e nevojshme një reformë e plotë zgjedhore për të adresuar rekomandimet e e pazbatuara të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Po ashtu polarizimi politik dhe mungesa e dialogut të sinqertë politik vazhdojnë të pengojnë punën e Parlamentit, thuhet në raport.
Ndalur te Reforma e Administratës Publike, BE thotë se Shqipëria është “mesatarisht” e përgatitur në këtë fushë, megjithëse ka bërë disa përparime. Këtu përmendet miratimi i Strategjisë kundër Korrupsionit dhe Reformës së Administratës Publike 2025-2030.
Sipas BE, problem mbetet praktika e rishikimeve buxhetore të kryera përmes akteve normative nga ekzekutivi dhe duhet të kufizohet.
Në dokument thuhet se Shqipëria ka ruajtur një linjë të qartë politike në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë mbështetjen për sanksionet ndaj Rusisë, një qëndrim që Brukseli e cilëson si dëshmi e besueshmërisë së Shqipërisë si partnere.
Lufta kundër korrupsionit
Në seksionin ku flitet për luftën kundër korrupsionit, thuhet se “Shqipëria është mesatarisht e përgatitur dhe ka treguar njëfarë përparimi”.
Ndër të tjera në raport theksohet se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, ndërsa nëvijëzohet roli i SPAK në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimet për raste korrupsioni të nivelit të lartë, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të lartë
“Shqipëria është në një nivel përgatitjeje të moderuar dhe ka treguar përparim. Është miratuar Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030. Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparim të dukshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë.
Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit vazhdon të ketë ndikim të kufizuar, ndërsa bashkërendimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët. Mangësitë në transparencën dhe efektivitetin e kontrollit të deklarimeve të pasurive duhet të adresohen”, thuhet veç të tjerash në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



