Politike

Shehu: Kalojeni në referendum ligjin për barazinë gjinore, Balla: Po dezinformoni, drafti është riformuluar

Nga Gazeta Si- Diskutimi për ligjin e barazisë gjinore vijon të prodhojë debate në Komisione mes anëtarëve socialistë dhe demokratë.

Opozita, në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, kërkoi që të tërhiqej ligji.

Deputeti i PD, Tritan Shehu u kërkoi socialistëve që të tërhiqeshin sa nuk ishte vonë, pasi, sipas tij, në të kundërt do krijonin kaos, amulli dhe do fusnin vendin në qorrsokak.

Ai propozoi që nëse mazhoranca do që ta kalojë këtë ligj, ta kalonte për referendum.

“Unë e njoh mirë këtë ligj, bazohet në koncepte të gjinisë biologjike, kjo është çështja dhe këtu duhet të qëndrojmë. Biologjia është e përcaktuar, X apo Y, ndaj unë u kërkoj një gjë, tërhiquni mbrapsht me këtë. Ky është atentat ndaj vlerave njerëzore. Shumica e vendeve europiane nuk e kanë këtë ligj, hiqni dorë nga këto direktiva. Nëse doni që të miratohet kaloheni me referendum, ju i keni votat, por ky ligj duhet të kalojë në referendum”, tha Shehu.

Ndërkohë, ishte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili e kundërshtoi, duke thënë se po dezinformon dhe se qëllimi i ligjit nuk është ndryshimi i gjinisë por barazia mes burrave dhe grave në të gjitha fushat e shoqërisë.

“Ligji është një arritje e madhe për vendin dhe me të hedhim një hap tjetër para për atë që është bërë deri më sot, që burrat dhe gratë kudo që janë të ndihen të barabartë”, tha Balla.

Ai foli edhe për ndryshimin e projektligjit, duke thënë se nuk është e vërtetë që qeveria është tërhequr nga amendamenti, por kanë kërkuar riformulimin e tij.

“Është e vërtetë që të projektligji i parë kishte hapësira për të krijuar paqartësi dhe prandaj dhe kërkuam që të riformulohet”, tha Balla.

Pas diskutimeve, miratoi me votat e mazhorancës projektligjin për barazinë gjinore, duke ia kaluar Kuvendit në seancë për diskutim dhe miratim.

Projektligji u votua me 8 vota të deputetëve të PS në komision, teksa mori 2 vota kundër të opozitës dhe një abstenim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë