Nga Gazeta ‘Si’- Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati dhjetëditor brenda të cilit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Më 26 tetor në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për formimin e qeverisë “Kurti 3”. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paraqiti para deputetëve kabinetin e tij të ri qeveritar, por propozimi nuk u miratua, pasi mori vetëm 56 vota pro.
Pas këtij zhvillimi, Osmani nisi konsultimet me subjektet politike.
Pas takimit, ndonëse liderët e opozitës deklaruan se vetëm zgjedhjet e reja mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza politike, Osmani tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur këto zgjedhje.

Ajo shtoi se, sa i përket mandatarit të parë, është e qartë se ai i takon vetëm partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Ndërkaq, sipas saj, nuk ekziston asnjë kufizim se cila parti mund të propozojë mandatarin e dytë.
Ndërkohë, Kurti ka insistuar që të caktohet një mandatar i dytë për formimin e Qeverisë por pavarësisht kësaj kërkese të tij, ende nuk është njoftuar për ndonjë takim mes Osmanit dhe ndonjë kandidati të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka deklaruar se kanë pasur përpjekje për të arritur koalicione, por sipas tij asnjëra nga partitë politike nuk ka pranuar.
“Këto gjashtë muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt, ku LVV-ja doli e para, PDK-ja e dyta dhe LDK e treta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



