Politike

Rama anulon vizitën në Bruksel, nuk do të marrë pjesë në samitin për zgjerimin e BE

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa sot do të mbahet samiti për zgjerimin e BE, kryeministri Edi Rama duket se ka ndryshuar mendje për të marrë pjesë, në momentin e fundit.

Megjithëse më parë vetë kryeministria kishte njoftuar udhëtimin e Ramës drejt Brukselit, nga burime të konfirmuara thuhet se Rama e ka anuluar pjesëmarrjen.

Raportohet se Rama ndodhet në kryeministri që prej orëve të para të mëngjesit të së martës.

Ai pritej që së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të diskutonin progresin e vendeve kandidate dhe sfidat e procesit të integrimit.

Punimet e samitit do të zhvillohen nga ora 14:00 deri në 17:00, ku do të marrin pjesë udhëheqës të vendeve kandidate për anëtarësim, përfaqësues të shteteve kandidate dhe ekspertë të ndryshëm për të diskutuar të ardhmen e familjes evropiane.

Këtë të martë pritet edhe publikimi i raporteve të zgjerimit për secilin nga shtetet kandidate për anëtarësimin në BE.

Komisionerja Marta Kos ka theksuar përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat e integrimit. Ajo e konsideron vendin tonë “një nxënëse të dalluar në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj Brukselit”.

Nga leximi paraprak i progres-raportit vjetor për Shqipërinë, nënvizohet roli i SPAK në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta politike, ku kërkohen dënime të formës së prerë.

Një vend të veçantë zë sekuestrimi i pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Behet thirrje sërish për vijimin e dialogut politik për përmirësimin e procesit zgjedhor përmes reformës së re zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë